TIRANË (AA) - Me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën ndaluese “pezullim nga detyra” për drejtorin e Përgjithshëm të Policisë Shqiptare, Haki Çako, për veprën penale “shpërdorimi i detyrës” në vijim të hetimit për dyshimet mbi ekzistencën e një pajisje përgjimi, ku sipas Prokurorisë është administruar në kundërshtim me ligjin nga ana e Policisë së Shtetit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Po me kërkesë të Prokurorisë së Tiranës, gjykata ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në shtëpi” me mbikëqyrje elektronike për shtetasit Artion Duka, drejtor i Forcave Operacionale dhe Entiol Xhelilaj, specialist pranë Forcave Operacionale, të dy të dyshuar për veprat penale të “shpërdorimit të detyrës” dhe “veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.
Prokuroria e Tiranës, në kuadër të veprimeve hetimore të deritanishme, dyshon se këta zyrtarë të policisë, me veprime ose mosveprime, kanë lejuar aktivitet të kundërligjshëm përgjimi.
“Prokuroria e Tiranës po vijon hetimet për të provuar nëse, pas veprimeve të dyshuara si të kundërligjshme, ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë shtetërorë. Prokuroria e Tiranës, Njësia Task-Forcë, ka nisur hetimin kryesisht, në bazë të një materiali procedurial, sipas të cilit, Policia e Shtetit ka në dispozicion një pajisje përgjimi 'IMSI Catcher'. Sipas informacionit, kjo pajisje ka hyrë në territorin e Republikës së Shqipërisë pa autorizimin përkatës dhe mund të realizojë interceptime telefonike”, thuhet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Shqipërisë.
Prokuroria e Tiranës regjistroi procedimin penal, në kuadër të cilave ka kryer një sërë veprimesh hetimore, ndërsa dyshimet për një pajisje të tillë shkaktuan edhe reagime në radhët e zyrtarëve të lartë të shtetit.
news_share_descriptionsubscription_contact
