Fatjon Cuka
02 Gusht 2016•Përditësim: 02 Gusht 2016
DURRËS (AA) - Hapet Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip, ku Bashkia e Durrësit si një ndër organizatoret e këtij panairi ka konfirmuar pjesëmarrjen e rreth 80 shtëpive botuese nga 7 vende të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Ky panair është hapur sot me pjesëmarrjen e shtëpive botuese nga Shqipëria, Greqia, Italia, Kosova, Maqedonia, Mali Zi dhe Rumania, ku synohet të promovohen botimet për të gjithë të pasionuarit pas letërsisë shqipe.
Qyteti bregdetar i Durrësit do të jetë vëmendja letrare mbarëkombëtare, ku të gjithë të interesuarit për këtë panair do të kenë mundësinë të njihen me botimet në gjuhën shqipe. Panairi Ndërkombëtar i Librit Shqip do të organizohet nga data 2-7 gusht, përgjatë Bulevardit "Taulantia".
Sipas organizatorëve dhe përfaqësuesve të Bashkisë së Durrësit ky panair është një ndër ngjarjet më të rëndësishme të këtij sezoni veror, për qytetin e Durrësit. Panairi do të qëndrojë i hapur për 5 ditë nga ora 18:00 deri në orët e vona të natës.