Fatjon Cuka
26 Tetor 2015•Përditësim: 26 Tetor 2015
TIRANË (AA) – Në orët e fundit sasia e lëndës narkotike e llojit kanabis sativa e sekuestruar nga policia shqiptare ka arritur në rreth 1 ton, ku dyshohet se do të trafikohej në Itali, transmeton Anadolu Agency (AA).
Nga burimet zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit mësohet se janë sekuestruar në Portin e Durrësit rreth 1 ton kanabis sativa gjatë operacionit antidrogë i koduar "Poker".
Si rezultat i operacionit janë arrestuar në flagrancë tre shtetas: Albert Doku, 51 vjeç, Ervin Pëllumbi, 36 vjeç dhe Gani Bushati, 55 vjeç.
Policia ka konfirmuar se në orët e darkës të së dielës në vijën e dytë në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në kamionin me targë TR 8201 R dhe trailerin me targë TR 1681 T, me drejtues mjeti shtetasin Ervin Pëllumbi dhe pronar shtetasin Albert Doku, është gjetur dhe sekuestruar një sasi lënde narkotike, e llojit kanabis sativa. Droga e sekuestruar ishte fshehur në 10 baleta me dru zjarri.
Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë.