Sibel Vezaj
12 Gusht 2016•Përditësim: 13 Gusht 2016
PRISHTINË (AA)- Në Kosovë shënohet 12 Gushti, Dita Ndërkombëtare e Rinisë, ku sektori i rinisë në Komunën e Prishtinës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, si dhe të OJQ-ve organizoi këndin e pikturës, simulimin e ndihmës së parë, aktivitete të Parkourit - Show Parkour dhe aktivitete motoristike, në sheshin Zahir Pajaziti, raporton Anadolu Agency (AA).
Xhevat Bajrami, drejtor i departamentit të Rinisë në kuadër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit u shpreh se Dita Ndërkombëtare e Rinisë është një ditë që festohet në mbarë botën, e cila me një vendim të veçantë nga Rezoluta e Kombeve të Bashkuara e vitit 1999 është një ditë që i kushtohet të rinjve në mbarë botën.
Ai shtoi se motoja për këtë vit është përkushtimi ndaj varfërisë dhe se Kosova është një vend që është në tranzicion. Sipas tij, në bazë të politikave programore dhe në kuadër të planit të Rinisë dhe Strategjisë Kosovare synohet që të shtohet rritja e punësimit të të rinjve të kosovarë.
“Ne e kemi mbështetur këtë aktivitet që rinia e Kosovës të jetë sa më e përfshirë në aktivitetet që lidhen me kulturën, sportin dhe rekreacionin”, u shpreh Bajrami.
Ndërkohë, Besart Vllahinja, drejtor i Kulturës në Komunën e Prishtinës u shpreh se kjo ngjarje është një aktivitet paraprak i muajit të rinisë, i cili do të shënohet në muajin shtator. Vllahija theksoi përkrahjen dhe përkushtimin e Komunës së Prishtinës për aktivitetet rinore, dhe angazhimit të të rinjve dhe të shprehjes së talentit të tyre.
“Kemi aktivitete të cilat do të mbahen edhe te Gërmia dhe është e vlefshme të përmendet edhe tryeza e cila do të organizohet nga Sektori i Rinisë, në Komunën e Prishtinës, që do të jetë e karakterit informues për proceset dhe ngjarjet të cilat hyjnë në kalendarin e aktiviteteve rinore”, u shpreh Vllahinja.
Ai shtoi se kjo ditë po organizohet në bashkëpunim të Komunës së Prishtinës me organizatat joqeveritare.
Kryetari i Federatës së Parkourit të Kosovës, dhe përfaqësues i Klubit "Atom3run" Berat Mavriqi deklaroi se për nder të kësaj dite kanë realizuar aktivitetin me sportin parkour, që është sporti dhe federata më e re në Kosovë.
Mavriqi theksoi se qëllimi i tyre është pjesëmarrja në festivale ndërkombëtare, që ta bashkojnë rininë dhe të bëjnë aktivitete të reja. Ai bëri të ditur se ky nuk është një sport ekstrem, por që duhet një përpjekje e mirëfilltë.