Kuvendi i Kosovës hap dyert për bashkëatdhetarët
Kuvendi i Republikës së Kosovës së bashku me Forumin për transparencë parlamentare sot organizuan aktivitetin tradicional “Bashkëatdhetarët në Kuvend”Sibel Vezaj
21 Korrik 2016•Përditësim: 22 Korrik 2016
PrishtinëPRISHTINË (AA) - Kuvendi i Republikës së Kosovës së bashku me Forumin për transparencë parlamentare sot organizuan aktivitetin tradicional “Bashkëatdhetarët në Kuvend”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kuvendi i Kosovës sot hapi dyert për të gjithë mërgimtarët e Kosovës, ku ishin të pranishëm bashkëatdhetarë të shumtë kosovarë, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore.
Me këtë rast, Zenun Pajaziti, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), u shpreh se kjo është hera e dytë që Kuvendi hap dyert për bashkëatdhetarët që janë anekënd botës. Ai vuri në dukje se mërgimtarët do t’i kenë të hapuara dyert si në shtetin e tyre, ashtu edhe në Kuvend për ta parë se ku punohet dhe ku miratohen ligjet dhe merren vendimet e rëndësishme për shtetin.
“Është ky një aktivitet për të mos e harruar kurrë punën e palodhshme dhe kontributin e palodhshëm e të pazëvendësueshëm të mërgatës dhe të bashkëatdhetarëve tanë. Ju jeni padyshim pjesa më e rëndësishme e lirisë që sot ne e gëzojmë. Jeni pjesa më e rëndësishme e institucineve dhe e shtetit të Kosovës. Fatmirësisht ju keni vazhduar ta rindërtoni Kosovën, dhe ju po bëheni pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e zhvillimit të vendit tonë”, u shpreh Pajaziti.
Pajaziti gjithashtu njoftoi se Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nën kujdesin e të cilit organizohet kjo ngjarje, nuk është i pranishëm për arsye të axhendës së ngjeshur.
Ndërkohë, Shqipe Pantina, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje dhe pjesëtare e forumit për transparencë parlamentare, theksoi se bashkëatdhetarët janë arterja kryesore që vazhdon ta mbajë gjallë Kosovën.
“Ju jeni shembulli më i mirë që keni treguar se dashuria për atdheun nuk mbaron asnjëherë. Dashuria për atdheun duhet të shfaqet edhe në kohë krize, edhe në kohë lufte e edhe në paqe. Ju më së miri po e dëshmoni këtë, jo vetëm duke ndarë kohën tuaj për pushime, për ta kaluar me të dashurit e juaj, por me gjithë mbështetjen dhe ndihmën që ju jepni jo vetëm familjeve por shtetit në përgjithësi, gjatë gjithë vitit”, u shpreh deputetja Pantina.
Rexhep Ajazi, i cili jeton në Paris për 17 vjet, u shpreh se për çdo verë vjen në atdheun e tij, duke u shprehur se “Atje kam sefa, këtu kam sevda”, dhe la porosinë që shqiptarët duhet të jenë të bashkuar për të udhëtuar aty ku kanë vendin, pra drejt Evropës.
“Ka qenë ëndërr dikur, që të dëgjojmë këtu të flitet gjuha shqipe, unë gëzohem shumë, pasi kam edhe disa vjet. Megjithatë ka gjithmonë vend për mirë e më mirë, uroj që të kemi suksese, mbarësi në punë. Uroj gjithë Republikën e Kosovës që të jemi edhe më të mirë, që të na do populli e qytetari dhe të depërtojmë në të gjitha poret e jetës, në dobi të atdheut dhe të popullit tonë, të përvuajtur 2000 vjet”, u shpreh Ajazi.
Në fund, Ajazi shtoi se “Deputetët janë me mandat, e populli është i gjithëhershëm”.