Sibel Vezaj
23 Nëntor 2016•Përditësim: 24 Nëntor 2016
PRISHTINË (AA) - Misioni i OSBE-së në Kosovë sot organizoi një punëtori për të vlerësuar shkallën e zbatimit të legjislacionit për media, ku përfaqësues të Kuvendit të Kosovës si dhe të institucioneve mediatike vlerësuan kornizën ligjore për mediat, përkatësisht respektimin e ligjeve të punës për gazetarë, ndjekjen e rasteve që i përfshijnë mediat dhe rëndësinë e raportimit të përgjegjshëm për të miturit nga mediat online, raporton Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalimit të tij Dane Koruga, shef i Seksionit për Media në Departamentin e Demokratizimit në Misionin e OSBE-së në Kosovë foli për ligjin për barazi gjinore, duke vënë në dukje se ky ligj vlen edhe për shtëpitë mediatike.
Ai foli edhe ligjin për qasje në dokumente publike dhe ligjin për Radio Televizionin e Kosovës (RTK-në) ku tha se “Misioni mbështet faktin se transmetuesi publik ka nevojë që të ketë financim adekuat për t’u zhvilluar, për të punuar në mënyrë të pavarur dhe të mos kenë ndërhyrje politike. Mirëpo po ashtu duhet të jetë transparent i përgjegjshëm dhe efikas. Ne këtu mbështesim gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për një afat të gjatë që do të mbrojë pavarësinë e tij”.
Në anën tjetër, kryesuesja e Komisionit për Shërbime Publike në Administratën Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, Xhevahire Izmaku shprehu se komisioni i saj është fokusuar në nevojën e ndryshimit të legjislacionit për shkak të direktivave të Bashkimit Evropian, kryesisht në fushën e dixhitalizimit të një pjese ku ka ngecje.
“Si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës nuk mund të them që s’jam krenare për çështjet se si i kemi vendosur legjislacionin e mediave në dokumentin më të rëndësishëm të vendit, siç është Kushtetuta. Mirëpo sa i përket temës së sfidave të implementimit të legjislacionit mbi mediat në vendin tonë ka ende shumë kohë për të qenë krenarë si ligjvënës, sepse ne përpos që kemi obligim që të bëjmë një ligj kemi obligim edhe të shikojmë implementimin e tij”, tha Izmaku.
Ajo foli edhe për problemet dhe pengesat në zbatimin e disa ligjeve, përkatësisht të atij të çasjes në dokumente publike, i cili është miratuar për herë të parë në vitin 2010. Sa i përket çështjes së financimit të transmetuesit publik, Izmaku bëri të ditur se RTK-ja nga 1 janari i vitit 2018 nuk do të jetë më me financim të drejtpërdrejtë nga Qeveria dhe Buxheti i Republikës së Kosovës, por që do të ketë një financim alternativ për këtë medium.
Kurse anëtarja e Komisionit për Shërbime Publike në Administratën Lokale dhe Media të Kuvendit të Kosovës, Shqipe Pantina tha se në Kosovë ekziston një legjislacion solid, ku vuri në dukje se vetë fakti që liria e mediave është kategori Kushtetuese tregon që ka një liri maksimale të mediave.
Ajo foli edhe për sfidat në zbatimin e ligjshmërisë mediale dhe në funksionimin e mediave, ku tha se “E para është mungesa e dijes, e njohurisë dhe e profesionalizmit. Jo vetëm tek mediat por edhe tek institucionet, përfshirë këtu edhe deptutetët apo edhe institucionet tjera të cilat janë të obliguara për ta zbatuar legjislacionin në fuqi, në këtë rast që e prek fushën e mediave”.
Pantina theksoi se mungesa e vullnetit të zbatimit legjislacionit si të politikbërësve, ashtu edhe të mediumeve të ndryshme si dhe mungesa e ndëshkimit në raste të shkeljes së rregullave dhe normave janë sfida të tjera të rëndësishme në fushën e legjislacionit të mediave.
Gjatë kësaj punëtorie u organizuan panele me tema të ndryshme, ku u fokusuan në sfidat e implementimit të legjislacionit të aplikueshëm për mediat në Kosovë, si dhe për ndihmesat apo pengesat për mediat në kuadër të kornizës ligjore.