STRUGË (AA) – Ministri e Ekonomisë së Republikës së Maqedonisë, Bekim Neziri dhe ministri i Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë, Damain Gjiknuri, në Strugë nënshkruan memorandum bashkëpunimi në sektorin e energjisë, i cili do të ketë prioritet energjinë elektrike, si efikasitetin e saj, sigurinë e furnizimit me energji dhe përgatitjen e projekteve të infrastrukturës për interkonjeksion, raporton Anadolu Agency (AA).
Mesazhi i takimit mes ministrit Neziri dhe Gjiknuri ishte se të dy vendet janë të vogla dhe kanë rrugën e njëjtë edhe në sektorin energjetik të bashkëpunojnë me njëra tjetrën për t’u integruar dhe për të harmonizuar politikat e tyre, qoftë në pikëpamjen e shtimit të kapaciteteve prodhuese, por mbi të gjitha në pikëpamjen e rregullimit të tregut energjetik.
Ministri Bekim Neziri tha se në takim janë diskutuar projektet që janë duke u realizuar dhe për projektet e planifikuara për të ardhmen. Ai theksoi se takimet e këtilla përcjellin mesazhin se bashkëpunimet mes dy vendeve vazhdojnë të intensifikohen.
“Jemi këtu për të nënshkruar memorandumin në sferën e energjetikës, memorandum i cili zgjeron rrafshin e këtij bashkëpunimi, duke u nisur në sferën e energjetikës, qoftë në burimet ripërtëritëse, në efikasitetin energjetik, qoftë në resurset e naftës. Prandaj me këtë mesazh ne përcjellim se bashkëpunimi i mirë fqinjësor do të vazhdojë edhe më tutje me fqinjin të parë”, deklaroi Neziri.
Nga ana tjetër, ministri Damain Gjiknuri tha se në takim është biseduar në lidhje me progresin e projektit shumë të rëndësishëm të lidhjes me linjën e tensionit të lartë Shqipëri-Maqedoni, ndërsa më tej njoftoi se projekti është duke ecur me të njëjtin ritëm nga të dyja anët e kufirit dhe se deri në vitin 2017 do të fillojë ndërtimi konkret i kësaj linje për tu vënë në funksion në vitin 2018.
“Tashmë mjetet financiare janë siguruar nga të dyja shtetet, kështu që projekti thjeshtë do të marrë kohën e tij për tu kompletuar. Interesi është shumë i lartë, sepse tregjet tona energjetike tashmë do të ndërlidhen fizikisht. Pra Shqipëria, Maqedonia, tregu bullgar, tregu serb po shkon drejt asaj që ne synojmë si vende dhe është një tendencë me zhvillime në sektorin energjetik të integrimet të tregjeve shtetërore në një treg të përgjithshëm rajonal”, deklaroi ministri Gjiknuri.
Sipas tij projekti në fjalë hap perspektivën edhe të ndërlidhjes së rrjetit elektro-energjik shqiptar, maqedonas dhe bullgar, edhe me mundësinë për tu lidhur me një kaboll nënujor në të ardhmen me Italinë dhe Bashkimin Evropian.
news_share_descriptionsubscription_contact
