Senada Ibraimova
01 Shkurt 2017•Përditësim: 01 Shkurt 2017
SHKUP (АА) – Memorandum bashkëpunimi është nënshkruar sot mes NP “Gazeta Zyrtare” dhe Sekretariatit për Çështje Evropiane të Maqedonisë, me qëllim të shkëmbimit të ndërsjellë të ligjeve dhe akteve nënligjore të Republikës së Maqedonisë, si dhe shkëmbimit të legjislaturës primare dhe sekondare të Bashkimit Evropian, në gjuhën maqedonase dhe anglishte, raporton Anadolu Agency (AA).
Me nënshkrimin e këtij Memorandumi, të dyja palët do të kenë mundësi që të avancojnë misionin e tyre themelor, sigurimin e resurseve relevante dhe informacioneve për qytetarët. Drejtori i NP “Gazeta Zyrtare e RM-së”, Lluka Kërzhaloski tha se qëllimi është që t’u dilet në ndihmë të gjithë qytetarëve, opinionit profesonal, ekonomistëve dhe juristëve, për të patur qasje në bazën elektronike.
“Kjo për institucionin tonë NP 'Gazeta Zyrtare e RM-së' është hapërim i rëndësishëm me të cilin rrumbullakojmë hallkën, që na mungonte në ofertën e shërbimeve tona, ato janë përkthimet e ligjeve në gjuhën anglishte”, theksoi Kërzhaloski.
“Një nga funksionet themelore të Sekretariatit është përgatitja e versionit nacional të Legjislaturës Evropiane. Në këtë konteskt, e përkthejmë legjislaturën evropiane, gjegjësisht të gjitha rregullativat dhe direktivat në gjuhën maqedonase. Në këtë mënyrë, qytetarët përmes bashkëpunimit me 'Gazetën Zyrtare' do të mund t’i kenë të arritshme të gjitha aktet që i përkthejmë në maqedonisht. Përveç kësaj, përkthejmë një pjesë të ligjeve që në fakt paraqet transponim të Legjislaturës Evropiane në gjuhën anglishte”, theksoi drejtoresha e Sekretariatit për Çështje Evropiane, Ana Bllazheska.
Nga “Gazeta Zyrtare” theksojnë se qasja deri te tekstet me përkthim në gjuhën anglishte dhe deri te legjislatura e BE-së, do të mund të pritet nga java e ardhshme.