Besar Ademi
15 Janar 2019•Përditësim: 15 Janar 2019
SHKUP (AA) - Ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni është shpallur në Gazetën zyrtare dhe në të gjitha organet e pushtetit shtetëror krahas gjuhës maqedonase dhe alfabetit të saj, gjuhë zyrtare bëhet edhe gjuha që e flasin 20 për qind e qytetarëve të vendit dhe alfabeti i saj, që në këtë rast është gjuha shqipe, transmeton Anadolu Agency (AA).
Me shpalljen në Gazetën zyrtare, ligji zyrtarisht hyn në fuqi dhe gjuha shqipe bëhet gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, mbrëmë e dërgoi ligjin në Gazetën zyrtare pa nënshkrimin e presidentit të vendit, Gjorge Ivanov.
Ligji i përdorimit të gjuhëve nga Kuvendi i Maqedonisë u miratua më 11 janar të vitit 2018, por presidenti Ivanov refuzoi dekretimin e tij me arsyetimin se është anti-kushtetues. Ligji u kthye përsëri në seancë plenare dhe më vonë, më 14 mars, ky ligj sërish u votua në Kuvendin e Maqedonisë.