Admir Fazlagikj
12 Shkurt 2016•Përditësim: 13 Shkurt 2016
SHKUP (АА) - Prokurorja speciale publike në Maqedoni Katica Janeva sot në konferencën për mediat bëri të ditur se Prokuroria ndërmerr aksionin e saj të parë nën emrin "Titanik". Janeva tha se lënda e parë që e ndërmerr kjo prokurori ka të bëjë me kriminalizimin e procesit zgjedhor, raporton Anadolu Agency (AA).
Prokurorja publike Fatime Fetai, e cila është pjesë e ekipit të Prokurorisë speciale publike, tha se është hapur hetimi për shoqërim kriminal, cenim të të drejtës zgjedhore, cenim të lirisë së zgjedhësve, blerja e zgjedhjeve dhe votave, shkatërrimi i materialeve zgjedhore, keqpërdorimi i fushatës zgjedhore.
"Veprimet për të cilat ekziston dyshim i bazuar në tërësi ka të bëjë me veprat penale për të cilat mund të shqiptohen dënime me burg. Për shkak të kësaj është hapur hetim ndaj më shumë personave për shoqërim kriminal, cenim të të drejtës zgjedhore, cenim të lirisë së zgjedhësve, blerje gjatë zgjedhjeve dhe votimeve, shkatërrimin e materialeve zgjedhore, keqpërdorimin e mjeteve financiare të fushatës zgjedhore", deklaroi Fetai, e cila në fjalimin e saj në mënyrë më detaje e përshkroi aksionin e parë.
"Ndryshe, në vitin 2012 të dyshuarit në cilësinë e Ministrit të Punëve të Brendshme, për Transport dhe Lidhje, të gjithë anëtarët e Komitetit të partisë bashkë persona të tjerë tani të panjohur duke e përdorur ndikimin e tyre real dhe pozitën zyrtare, për mbetjen e mëtutjeshme në pushtet të partisë në nivel lokal dhe shtetëror, posaçërisht për privilegjet e tyre për praktikimin e pushtetit kanë krijuar grup i cili ka patur për qëllim të kryejë vepra penale kundër zgjedhjeve dhe votimit kanë bërë vepra penale për të cilat dënimet janë prej 3 e më shumë vite burg", theksoi Fetai.
Sipas saj, grupi ka bërë plan për përfitimin e votuesve nëpërmjet MPB-së, si dhe përmes personave të tjerë për bartjen e njerëzve nga vendet e huaja, përmes dhunës në fushatën zgjedhore dhe në ditët e zgjedhjeve kanë ushtruar presion se si të votohet dhe kanë penguar realizimin e të drejtës për të votuar, kanë ofruar dhe kanë dhënë shpërblime se si të votohet dhe në mënyrë antiligjore kanë përdorur para në fushatën zgjedhore.
Fetai theksoi se të dyshuarit kanë patur role konkrete në këto procese. Prokuroria speciale publike parashikon masën e paraburgimit për disa persona të përfshirë në procedurë. Sipas kësaj prokurorie kjo masë ndërmerret për shkak të rrezikut që të ndikohet mbi dëshmitarët.
Një person siç u bë e ditur veçmë është privuar nga liria për shkak të rrezikut për ta braktisur Republikën e Maqedonisë. Prokuroria speciale bëri me dije se janë ngritur akuza edhe kundër pesë gjykatësve nga Gjykata Administrative si dhe kundër katër anëtarëve të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) nga viti 2013. Me këtë procedurë për abuzime zgjedhore përfshihen anëtarët e komisionit komunal zgjedhor në Komunën e Çairit.
Prokurorja e cila gjithashtu është pjesë e Prokurorisë speciale publike, Lençe Ristova në konferencën për mediat deklaroi se në kuadër të aksionit "Titanik", kërkesa për arrestimin e tetë personave është parashtruar sot në mëngjes.
"Deri më tani nga liria ishte privuar vetëm një person me shtetësi të dyfishtë", deklaroi Ristova, por nuk e zbuloi identitetin e personit për të cilin bëhet fjalë. Ajo shtoi se nga procedurat para hetimore të cilat në Prokurorinë speciale janë hapur procedura hetimore për lëndën 'Maxhar-Telekom', i cili është kërkohet për krim të organizuar dhe korrupsion si dhe hetim paraprak për aferën "Shpresa".
Ristova thekoi se në kohën e fundit ekzistojnë tentime për diskreditimin dhe rrënimin e reputacionit të Prokurorisë speciale publike nga ana e institucioneve shtetërore, partive politike dhe mediave për çka shprehu shqetësim.