Barış Gündoğan
18 Gusht 2016•Përditësim: 18 Gusht 2016
ANKARA (AA) - Ministri turk i Mbrojtjes Kombëtare, Fikri Işık, ishte sot i pranishëm në panelin e editorëve të Anadolu Agency (AA).
Gjatë fjalës së tij në këtë panel ministri Işık ka dhënë detaje mbi ngjarjet e fundit në vend dhe masat e marra pas tentativës për grusht shteti nga organizata terroriste FETÖ.
"Sa errësirë ishte gjatë asaj nate aq dritë u bë mëngjesin e ditës pasuese. Përjetuam natën më të rëndësishme të demokracisë së Turqisë. Nata e 15 korrikut ishte më e rëndësishmja e demokracisë së Turqisë. Ajo tregoi që demokracia në këtë vend ka arritur një fazë pjekurie. Në fakt me këtë natë ajo u rivërtetua dhe njëherë", tha Işık.
Ai ndër të tjera shtoi: "E kuptuam që në fillim të kësaj tentative që kishte të bënte me organizatën terroriste FETÖ. Disa terroristë dhe tradhtarë të veshur me uniformën e ushtrisë sonë u munduan të kthejnë Turqinë në një satelit të disa fuqive dhe të vendosë atë në urdhrat e tyre. Për fat të mirë hapi që ata hodhën për të bërë këtë u pengua dhe rezultoi i pasuksesshëm. Turqia në këtë mënyrë u zgjua me një mëngjes më të ndritur. Jam i bindur që do të shkruhet shumë dhe do të ketë shumë shpjegime në lidhje me atë natë. Çfarë do që ndodhi dhe kush çfarë bëri do të tregojë dhe shkruajë historia."
Në lidhje me tentativën për grusht shteti ai është shprehur: "Pasi këta kuptuan që grushti i shtetit do të rezultojë i pasuksesshëm përgatitën 3 avionë të tipit Casa. Do të arratiseshin përmes bazës ajrore Akıncılar. Nëse pista e kësaj baze nuk do të bombardohej duhet të dini që shumica e puçistëve sot do të ishin arratisur."
Ministri Işık gjatë fjalës së tij dha detaje edhe ndaj rregullimeve të reja në ushtrinë e Turqisë. Ai ka vënë në dukje se në vendet e zhvilluara Shtabi i Përgjithshëm nuk ka kaq detyra. "Në Turqi kishim një Ushtri e cila komandonte Ministrinë e Mbrojtjes. Që prej vitit 1987 ministria ishte si një drejtori logjistike. Që prej 15 korrikut ne disa detyra të Shtabit të Përgjithshëm i kemi kaluar nën varësinë e Ministrisë së Mbrojtjes. Po kthejmë Ushtrinë në detyrën e saj të cilën duhet të bëjë", është shprehur Işık.
Duke theksuar se për Turqinë ka shumë rëndësi që civilët dhe ushtarakët të punojnë në koordinim ministri Işık në vijim të fjalës së tij u shpreh: "Çdo institucion i mbyllur e shikon me dyshim institucionin tjetër. Bashkëpunimi dhe koordinimi së pari heq dyshimet mes institucioneve. Synon njohjen e mëtejshme të njëri-tjetrit dhe mundëson përafrimin dhe respektimin e njëri-tjetrit. Ne mbështesim fuqishëm punën e përbashkët mes civilëve dhe ushtarëve. Ushtarët dhe civilët duhet të punojnë patjetër bashkë."
"Republika e Turqisë është më e fortë se sa natën e 15 korrikut"
"Organizata terroriste PKK duhet të dijë mirë që Republika e Turqisë është më e fortë se natën e 15 korrikut. Të paktën tradhtarët që ndodheshin në ushtri janë pastruar në masë të gjerë dhe si rrjedhojë mundësia që PKK të marrë ndihmë nga brenda këtij institucioni ka shkuar në zero. Tashmë le të mendojë vetë PKK, të mendojnë drejtuesit e PKK-së'', ka shtuar ai.
Në vijim të fjalës së tij ministri Işık tha: ''Ashtu sikurse nxorëm huq në bashkëpunim me popullin tentativën e FETÖ-s më 15 korrik dhe ashtu sikurse tradhtarët paguan dhe vazhdojnë të paguajnë për atë që bënë, ashtu do të paguajnë edhe tradhtarët dhe të pabesët e PKK-së."