Bekim Laci
01 Qershor 2016•Përditësim: 02 Qershor 2016
SHKUP (AA) – Me një hepening rasti dhe shoqërim me fëmijët, kujdestarët dhe vullnetarët e Kryqit të Kuq nga qyteti i Shkupit para Shtëpisë përkujtimore të Nënës Terezës shënuan 1 Qershorin-Ditën botërore të familjeve përkujdesëse, raporton Anadolu Agency (AA).
Me këtë rast, oranizatori kishte vendosur tenda në të cilat u performua një program interaktiv për fëmijët të cilët u shoqëruan nga një animator, ndërkohë që u realizua edhe një punëtori vizatimore e cila mbikëqyrej nga një pedagog dhe një piktor.
Sekretarja e Kryqit të Kuq të Shkupit, Suzana Paunovska me këtë rast deklaroi se bëhet fjalë për një kategori shumë të rëndësishme të qytetarëve në sistemin për mbrojtje sociale.
“I hapin shtëpitë e tyre për të gjithë ata fëmijë të cilët kanë nevojë për dashuri dhe mbështetje madje edhe në periudhën kur prindërit e tyre nuk janë në gjendje të kujdesen për ta, duke bërë këto familje të jenë janë zëvendësimi i tyre”, tha Paunovska për të shtuar se pikërisht nga këto arsye dita e sotme u është kushtuar kujdestarëve dhe nevojave të tyre.
Sekretarja e Kryqit të Kuq të Shkupit, u bëri thirrje qytetarëve që kanë mundësi të marrin nën përkujdesje fëmijë që të kontribuojnë për një nivel më të lartë të përgjegjësisë sociale.
Kryqi i Kuq në kuadër të projektit për përkujdesje në territorin e qytetit të Shkupit në pesë vitet e fundit ka përfshirë 90 fëmijë ndërsa në territorin e shtetit janë regjistruar gjithsej 147 familje të cilët janë pjesë nga projekti i Kryqit të Kuq.