Besar Ademi
18 Nëntor 2015•Përditësim: 19 Nëntor 2015
GJEVGJELI (AA) – Kryqi i Kuq i Republikës së Maqedonisë në bashkëpunim me Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatë (UNHCR) vazhdon në mënyrë aktive të jetë e pranishme në vendkalimin kufitar jugor dhe verior të Maqedonisë, në ndihmë të refugjatëve si në aspektin mjekësor, ashtu edhe me ndihma humanitare, raporton Anadolu Agency (AA).
Nga Kryqi i Kuq i Maqedonisë thonë se në baza ditore në territorin e Maqedonisë kalojnë prej 5 mijë deri në 10 mijë refugjatë. Ndërsa nga UNHCR-ja thonë se numri i refugjatëve që arrijnë në Maqedoni është zvogëluar, për arsye të grevës së transportit në Greqi.
Aleksandar Jonuzoski, ndihmës në Kryqin e Kuq të Maqedonisë, tha se një numër i madh i refugjatëve që arrijnë në kamp ankohen nga i ftohti. Ai theksoi se Kryqi i Kuq në bashkëpunim me UNHCR-në kanë vendosur ngrohje në tendat që ndodhen në kamp, veshmbathje dimri.
Ai thotë se për të ardhmen planifikojnë instalimin e kuzhinave për supë të nxehtë, çaj dhe kafe.
“Në aspektin mjekësor gjatë ditës intervenojmë në rreth 900 raste, ndërsa me rastet më serioze i referohemi Ministrisë së Shëndetësisë, të cilët i transportojnë në ambulancën e qytetit të Gjevgjelisë. Ka raste kur transportohen deri në kufirin verior të vendit", thotë Jonuzoski.
Sipas tij, në aspektin mjeksorë kohëve të fundit arrijnë një numër i madh i personave invalidë apo me paterica, të cilët patjetër u nevojitet karrocë. "Deri më tani nuk kemi hasur në pengesa me transportin e refugjatëve", sqaron ai.
Përfaqësuesja e UNHCR-së, Alexandra Craus theksoi se mesatarisht në ditë kalojnë rreth 7 mijë refugjatë. Ajo thotë se nuk presin ndonjë numër më të madh të refugjatëve nga ai i zakonshmi.
“Gjatë dy ditëve të fundit në kampin e refugjatëve ka arritur një numër më i vogël i refugjatëve, për arsye të grevës së transportit në Greqi. Më 9 nëntor reth 11 mijë refugjatë arritën në kamp, ndërsa sot deri më tani kanë arritur diku rreth 2600 refugjatë", ka thënë Craus.
Ajo më tej shton se nuk presin numër më të madh nga ai i zakonshmi.
"Mesatarisht kalojnë rreth 7 mijë refugjatë, por ky numër ndonjëherë ulet, ndonjëherë rritet”, deklaroi Craus.