Ivana Ramadanova
03 Dhjetor 2015•Përditësim: 04 Dhjetor 2015
SHKUP (AA)- Maqedonia sot shënon Ditën ndërkombëtare për personat me invaliditet. Me këtë rast Këshilli kombëtar i organizatave të cilat tubojnë këtë kategori të personave mbajti një tribunë me temë: "Qasja dhe përforcimi i të gjitha aftësive të secilit person me invaliditet", raporton Anadolu Agency (AA).
Në tribunën në fjalë, foli edhe ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Frosina Tashëvska-Remenski e cila theksoi rëndësinë e kësaj dite sepse siç tha, ka qëllim të rikujtojë opinionin për nevojat që ka kjo kategori e njerëzve.
“Sfida e kësaj dite është se ajo obligon të gjithë ata që flasin për problemet e këtyre personave, që të vënë theksin te njeriu, personaliteti dhe dinjiteti i tij, dhe jo te hendikepi i tij. Investimi te kjo kategori e njerëzve është obligim i ynë qytetar. Duke ndihmuar ata, ne ndihmojmë veten", tha Remenski për të shtuar se njerëzit me pengesa duhet ndihmuar gjatë tërë vitit dhe jo vetëm në një ditë të veçantë.
Kryetari i Këshillit kombëtar Çedomir Trajkovski, nga ana e tij tha se tani e katër vite me rradhë po përballen me probleme të njëjta.
"Duhet të pranojmë se për situatën e vështirë në të cilën ndodhen personat me invaliditet, nuk janë fajtorë vetëm autoritetet shtetërore por të gjithë ne, nga shkaku i punëve të mira që kemi mundur ti bëjmë dhe nuk i kemi bërë", tha ai.
Në shënimin e Ditës ndërkombëtare të personave me invaliditet janë të përfshirë edhe Lidhja e të verbërve, Këshilli kombëtar i shurdhmemecëve, Lidhja e personave me invaliditet trupor etj.