Husameddin Gina
03 Dhjetor 2018•Përditësim: 04 Dhjetor 2018
SHKUP (AA) - Në shënimin e 3 dhjetorit, Ditës ndërkombëtare të personave me aftësi të kufizuara, kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, ka deklaruar se përfitimet e integrimit të personave me aftësi të kufizuara në çdo segment të shoqërisë janë të mëdha, raporton Anadolu Agency (AA).
Këtë vit, Dita ndërkombëtare e personave me aftësi të kufizuara shënohet nën moton “Fuqizimi i personave me aftësi të kufizuara dhe ofrimi i përfshirjes dhe barazisë”.
Sipas vlerësimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, tha Zaev, në Maqedoni rreth 10 për qind e qytetarëve janë me një lloj pengese zhvillomore.
Në shënimin e kësaj dite, Zaev para të pranishmëve bëri të ditur se në muajin tetor të këtij viti qeveria e miratoi planin e veprimit për zbatimin e strategjisë kombëtare, plan që përfaqëson udhëzuesin e parë praktik operativ në zbatimin e deinstitucionalizimit në Maqedoni.
“Kjo reformë është një prioritet i lartë për ne dhe ne duhet të ndërtojmë një sistem për ofrimin e shërbimeve sociale bazuar në qasjen e të drejtave të njeriut dhe që promovon të drejtat e përfshirjes dhe dinjitetit të përdoruesve”, tha kryeministri Zaev.
Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale e Maqedonisë, Milla Carovska, nga ana e saj paralajmëroi masa për edukimin dhe integrimin e personave me aftësi të kufizuara.
Në shënimin e kësaj dite në Qeverinë e Maqedonisë i pranishëm ishte edhe shefi i delegacionit të BE-së në Shkup, Samuel Zhbogar, i cili theksoi se BE-ja do të vazhdojë me fonde për të mbështetur masat e qeverisë për të përforcuar institucionet dhe për të zbatuar rekomandimet e strategjisë kombëtare.
Ndryshe, Maqedonia më 30 mars të vitit 2007 e nënshkroi, ndërsa më 5 dhjetor të vitit 2011 e ratifikoi Konventën për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Konventa paraqet instrumentin e parë ligjor dhe detyrues ndërkombëtar përmes të cilës përcaktohen standardet minimale për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.