Besar Ademi
16 Korrik 2016•Përditësim: 17 Korrik 2016
SHKUP (AA) – Në organizim të Lidhjes së Shoqatave Joqeveritare Turke në Maqedoni (MATÜSITEB) qindra qytetarë u tubuan para Ambasadës së Turqisë në Shkup në mbështetje të popullit dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, i cili u ballafaqua me tentativën jolegjitime për kryengritje nga pjesëtarë të forcave të armatosura turke, besnikë të organizatës terroriste FETÖ të drejtuar nga Fetullah Gülen, raporton Anadolu Agency (AA).
Qytetarët e tubuar para Ambasadës turke të cilët lexuan edhe lutje për dëshmorët e rënë gjatë natës së mbrëmshme kundër grusht shtetit, thonë se Turqia udhëhiqet nga një qeveri legjitime dhe demokratike dhe se askush nuk guxon të veprojë kundër vullnetit të popullit.
Kryetar i shoqatës MATÜSITEB, Tahsin Ibrahim, i cili dënoi ashpër këtë tentativë, tha që këto tradhtarë që shpërfillën sundimin e ligjit dhe vullnetin e popullit, si dhe që tradhëtuan popullin e tyre, duhet të përgjigjen para organeve të drejtësisë.
“Ky veprim që kishte qëllim prishjen e stabilitetit të mëmëdheut tonë u përball me kundërpërgjigjen e duhur nga populli pa arritur qëllimin. Populli turk shkroi edhe një histori heroike me përpjekjen epike që e shfaqi për mbrojtjen e demokracisë dhe shtetit”, deklaroi Ibrahim.
Më herët një grup ish-nxënësish të kolegjit “Yahya Kemal”, në pronë të Fetullah Gülen, në shenjë proteste grisën diplomat e tyre para objektit të këtij institucioni arsimor. Ata apelojnë që prindërit të mos i regjistrojnë fëmijët e tyre në këtë kolegj, sepse siç thonë ata, “ne dje gabuam, ju nesër mos gaboni”.
“Si pasojë e ngjarjeve të mbrëmshme të organizuara nga grupi terrorist i Fetullah Gülenit, ne sot shprehim shqetësimin tonë të thellë ndaj këtij institucioni arsimor i cili është i dirigjuar po nga ky grupacion. U bëjmë apel të gjithë qytetarëve të Maqedonisë të jenë të kujdesshëm se kujt i’a lënë amanet fëmijët e tyre”, tha Muhamed Tahiri, ish nxënës i kolegjit.