ERBIL (AA) – Ish-prefekti i Musulit dhe komandanti i forcave Hashdi Vatani (Forca sunite), Esil Nuxhejfi, duke theksuar se çlirimi i Jarabulusit përmes operacionit të Turqisë "Mburoja e Eufratit" është pritur me gëzim nga sunitët në Irak, tha se “Populli i Musulit dëshiron që modeli i njëjtë të përdoret edhe në qytetin e tyre. Ka shumë faktorë pozitivë që populli i Musulit t’i besojë Turqisë. Turqia, edhe nëse jo ushtarakisht, duhet të jetë politikisht aktive në rajon”, raporton Anadolu Agency (AA).
Nuxhejfi ka folur për gazetarin e AA-së në lidhje me zhvillimet e fundit në rajon, operacionin për çlirimin e Musulit dhe operacionin e Turqisë "Mburoja e Eufratit".
- “Sunitët i besojnë Turqisë”
Nuxhejfi u shpreh se çlirimi i Jarabulusit dhe rrethinës në kuadër të Operacionit "Mburoja e Eufratit" dhe mundësimi i kushteve për kthimin e popullit është pritur me gëzim dhe ka shtuar një pritje të madhe te arabët sunitë në Irak. “Pas tentativës për grusht shteti, Turqia duhet t’i zgjerojë aktivitetet në rajon dhe të kontribuojë në paqen dhe sigurinë në Lindjen e Mesme. Zhvillimet në rajon ndikojnë drejtpërdrejt në sigurinë e Turqisë. Për këtë arsye, është e pamendueshme dhe e paarsyeshme që Turqia të ngelet vetëm spektator i këtyre zhvillimeve”, shtoi Nuxhejfi.
Duke u shprehur se populli sunit mund t’i besojë vetëm Turqisë kur bëhet fjalë për të ardhmen dhe stabilitetin e Musulit, Nuxhejfi vlerësoi se “Brenda koalicionit ndërkombëtar i besojmë Turqisë. Mund të mbështetemi te Turqia, e jo te shtetet e tjera. Populli i Musulit i beson shumë Turqisë. Çlirimi i Jarabulusit ishte dritë shprese. Populli i Musulit dëshiron që modeli i njëjtë të përdoret edhe në qytetin e tyre. Turqia duhet të jetë aktive në rajon në çdo aspekt. Ka shumë faktorë pozitivë që populli i Musulit t’i besojë Turqisë. Turqia, edhe nëse jo ushtarakisht, duhet ta zmadhojë rëndësinë e saj brenda koalicioni ndërkombëtar në këtë proces.”
Ndërkaq, pasi tha se vazhdon mbështetja e Turqisë ndaj Hashdi Vatanit që përbëhet nga milicë sunitë, Nuxhejfi vazhdoi: “Turqia i vazhdon ndihmat për Hashdi Vatanin. Trajnimet ushtarake po vazhdojnë. Në këtë aspekt, po zbatojnë një detyrë të rëndësishme. Sipas nesh, roli i Turqisë në rajon duhet të jetë më i madh. Si kundërpërgjigje ndaj rolit dhe aktivitetit të zmadhuar të Iranit, duhet të fuqizohet roli i Turqisë.”
- “Musuli duhet të jetë një rajon federativ”
Nuxhejfi vuri në pah se Musuli më nuk do të udhëhiqet nga DAESH-i si më parë dhe fati i qytetit nuk do t’i dorëzohet forcave ushtarake që nuk janë sunite, duke shtuar se për krijimin e stabilitetit në rajon, është kusht një strukturë federative.
“Musuli nuk do të jetë Musuli që ishte para DAESH-it. Disa palë nuk e kanë pritur me ngrohtësi që e ardhmja e qytetit të futet në rend dite. Megjithatë, ne, arabët, kurdët, sunitët, shabakët, të krishterët dhe jezidët, duhet të shkojmë në një organizim të ri. Pas largimit të DAESH-it, dëshirojmë që Musulin ta bëjmë një rajon federativ që do të përbëhet prej 6 deri në 8 prefekturash. Kjo sepse pas largimit të DAESH-it mënyra më e mirë për drejtimin e Musulit është krijimi i një strukture federative. Në kuadër të kësaj, parashohim që ultësira Musulit dhe Shengal të bëhen prefektura. Në rajonin e Telaferit do të ketë një ose dy prefektura, në jug të Musulit një, dhe në qendër të qytetit një. Në këtë mënyrë, çdo prefekturë do të udhëheqë me pjesën që i takon. Po ashtu, forcat e sigurisë të njësive të ndryshme do të mundësojnë sigurinë këtu. Njësitet e armatosura do të mund të fitojnë një bazament ligjior në qoftë se Musuli bëhet rajon federal”, vazhdoi Nuxhejfi.
Duke tërhequr vëmendjen se ka shkaqe që çojnë në shndërrimin e Musulit në rajon federativ, Nuxhejfi deklaroi se kërkesat e arabëve sunitë në këtë drejtim janë të shumta dhe se po ashtu do të zhvillohen marrëdhënie të veçanta ushtarake me Bagdatin dhe Erbilin.
Nuxhejfi vuri në pah se Hashdi Vatani ka forca të armatosura brenda Musulit dhe se janë të gatshme planet me atë se si do të veprohet në rast operacionesh. “Me një gjuhë të përgjithshme, ky është special. Kur të fillojë operacioni, të rinjtë tanë do t’i ekzekutojnë detyrat. Brenda dhe jashtë Musulit mijëra të rinj tanë po e presin operacionin. Ndërkaq, pas çlirimit të qytetit, do të veprojmë bashkarisht me forcat Peshmerge ose ushtrinë e Irakut.”
Nuxhejfi tha se vazhdojnë përgatitjet ushtarake për çlirimin e Musulit, megjithatë mosmarrëveshja politike mes Erbilit dhe Bagdadit në lidhje me të ardhmen e qytetit e ka vonuar procesin.
“Nuk ka unifikim pikëpamjesh sa i përket asaj se si do të udhëhiqet Musuli. Forcat Peshmerge janë afër qendrës së qytetit dhe mund të organizojnë një operacion ushtarak. Në rast se nuk arrihet marrëveshje mes Erbilit dhe Bagdadit, atëherë mund të vonohet çlirimi i Musulit. Kushtet e parashtruara nga kurdët janë në dobi të popullit të Musulit. Kjo sepse pas çlirimit të Musulit zona e Kurdistanit i jep rëndësi stabilitetit. Nga ana tjetër, populli i Musulit kërkon një marrëveshje politike për të ardhmen e qytetit. Bagdadi deri më tani nuk ka folur në lidhje me marrëveshjen. Mendojmë se duhet të veprohet në kuadër të një marrëveshje të plotë me zonën e Kurdistanit. Nuk dëshirojmë problem me Erbilin.”
Nuxhejfi më tej vazhdoi: “Në mes Erbilit dhe Bagdadit nuk është bërë asnjë takim në lidhje me detajet e operacionit në Musul. Kurdët, të cilët theksojnë se nuk do të hyjnë në qendrën e qytetit pa mbështetjen dhe pjesëmarrjen e popullit të Musulit, këmbëngulin që forca kryesuese në luftë duhet të përbëhet nga populli i Musulit. Ndërkaq, kurdët janë kundër që Hashdi Shabi të hyjë brenda Musulit, sepse mendojnë që Hashdi Shabi do ta prishë gjendjen e qytetit. Nga ana tjetër, forcat ndërkombëtare po ashtu janë kundër pjesëmarrjes së Hashdi Shabit në operacion. SHBA-të kanë bërë të ditur se janë kundër. Edhe populli i Musulit që nga fillimi nuk e kishte pranuar një alternativë të tillë. Për këtë arsye, mendoj se Hashdi Shabi nuk ka mundësi të futet në qytet.”
Duke theksuar se DAESH ka shtatë mijë ushtarë në Musul, Nuxhejfi përfundoi duke shtuar se “Gjysma e këtyre gjenden në qendër të qytetit. Ka rënie të madhe në numrin e luftëtarëve të huaj. Komandantët e rëndësishëm të gjithë janë vrarë. Ata që kanë ngelur janë të dobët ushtarakisht. Të rinjtë e rekrutuar me dhunë, nga ana tjetër, po dezertojnë për shkak të mungesës së përvojës. Kjo gjendje ka ndikuar në dobësimin e DAESH-it në masë të madhe.”
news_share_descriptionsubscription_contact
