Sarp Özer
30 Shtator 2015•Përditësim: 01 Tetor 2015
ANKARA (AA) - Kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu, ka deklaruar se 16 punonjësit turq që ishin rrëmbyer pak kohë më parë në Irak janë liruar dhe i ka marrë në dorëzim Ambasada e Turqisë në Irak. Ai ka shtuar se: “Kam folur në telefon me disa nga punonjësit. Gjendja shëndetësore e tyre është e rregullt dhe po kryhen përgatitjet e duhura për kthimin e tyre sa më parë në vendlindje", raporton Anadolu Agency (AA).
Davutoğlu, e ka bërë deklaratën në llogarinë e tij në Tweeter në lidhje me situatën e punonjësve turq që u rrëmbyen në fillim të këtij muaji në Bagdat të Irakut.
Kryeministri i Turqisë gjithashtu ka shprehur falenderimet e tij "për të gjithë miqtë irakianë" që kanë treguar përpjekje intensive për punonjësit gjatë kësaj periudhe.
Davutoğlu, gjithashtu duke uruar edhe familjarët e punonjësve u shpreh se: "Ashtu siç kemi vepruar deri tani për rindërtimin e Irakut, Qeveria jonë, kompanitë dhe njerëzit tanë do të vazhdojnë të qëndrojnë përkrah Irakut".