Bekim Laci
03 Prill 2016•Përditësim: 03 Prill 2016
SHKUP (AA) - Çarshia e Shkupit, një monument historik nga periudha Osmane ngadalë por sigurt po fillon të marrë pamjen e dikurshme me rrugët përplot me njerëz të cilët përveç arkitekturës mund të shijojnë edhe ushqimet dhe pijet orientale, ndërsa shtimi i turistëve të cilët vizitojnë këtë zonë të Shkupit është parë si një mundësi e mirë për afaristët të cilët dinë të nuhasin shijet e vizitorëve.
I tillë është Dobre Arsovski i cili për Anadolu Agency (AA) tha se drejton një biznes familjar të shitjes së sendeve të vjetra, të filluar qysh në kohën e socializmit.
Në dyqanin e Arsovskit të hapur në Çarshi, të pasionuarit pas sendeve të vjetra mund të gjejnë pajisje gjeodezike të cilat nga kjo perspektivë kohore mund të duken primitive, pastaj foto-aparatë të vjetër dhe pajisje ushtarake siç janë helmetat dhe kapelat nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithashtu mund të gjejnë edhe Jataganët nga periudha Osmane, nga e cila periudhë datojnë edhe kartëmonedhat, pullat postare dhe shumë gjësende të tjera, por ajo që kapi syri ishte e ashtuquajtura “Medalje e Lavdisë” të cilën e kishte institucionalizuar sulltan Abdyl Mexhiti në vitin 1853 për pjesëmarrje në luftën e Krimesë kundër Rusisë, që ndryshe njihet edhe si “Medalja e Danubit”.
“Çarshia ka filluar të ngjallet dhe gjithnjë e më shumë shtohen turistët që është mirë për biznesin tonë, sepse ata janë blerësit kryesorë. Do ti veçoja turistët nga Turqia numri i të cilëve rritet për çdo vit, ndërsa ata më shumë interesohen për sendet e thurura dhe të qëndisura” thotë Arsovski për AA duke veçuar skutaqet dhe kompletet për femra të cilat janë të ruajtura mirë bashkë me stolitë prej monedhave nga periudha Osmane.
Veshjet popullore të cilat kanë qenë karakteristikë gjatë periudhës Osmane janë prej sendeve më të kërkuara, thotë ai.

“Për disa janë tërheqëse veshjet popullore nga rajoni i Mijakut dhe Galiçices pasi shumë mund është investuar për tu bërë dhe ruajtur kjo veshje, pastaj nga stolitë e vjetra ngjall interesin stolia e dekoruar me monedha të moçme nga periudha osmane, ndërsa i tërheqin edhe sendet nga periudha e ish- Jugosllavisë” rrëfen ai.
Sa i përket eksponateve Arsovski thotë se kryesisht furnizohen nga njerëz të cilët i posedojnë të njëjtat nga më herët dhe dëshirojnë ti heqin, ose siç thotë ka të tillë të cilët modernizojnë shtëpitë ose banesat e tyre duke i larguar sendet e vjetra të cilat i ofrojnë në shitje.
Në raste të rralla kërkohet intervenimi për ti riparuar para se të vendosen në vitrinat e dyqanit për shitje, ndërsa në bazë të çmimit blerës përcaktohet edhe çmimi i shitjes përfundon Arsovski.