Nour Mahd Ali Abu Aisha,Ayşe Sümeyra Aydoğdu
29 Shtator 2016•Përditësim: 30 Shtator 2016
GAZA (AA) – Piktoret palestineze do t’i presin me piktura aktivistet gra të cilat janë nisur me anije në kuadër të Koalicionit të Flotës së Lirisë me qëllim për ta thyer bllokadën në Gaza, raporton Anadolu Agency (AA).
Në aktivitetin “Po dalim për liri: Ulliri i Shpresës” e organizuar bashkarisht nga Punishtja e Arteve të Bukura dhe Organizata për Ndihmë të Ndërsjellë me Anijen e Grave, janë bashkangjitur dhjetëra piktore gra palestineze.
Përgjegjësja e aktivitetit të organizuar në Portin e Gazës, Rasha Evu Zayid, tha se synojnë t’i presin me piktura gratë që po marrin pjesë në anijet Zaytouna (Ulliri) dhe Amal (Shpresa) që janë nisur për ta thyer bllokadën.
Ebu Zayid tha se për ta shprehur më mirë falënderimin ndaj flotës e cila kësaj radhe do të përbëhet vetëm nga gra, në aktivitet marrin pjesë vetëm gra.
Gratë palestineze, përmes pëllumbave dhe degëve të ullirit nëpër piktura simbolizojnë paqen dhe lirinë, ndërkohë që për ta shfaqur bllokadën e Izraelit e cila po zgjat prej dhjetë vitesh, ato në pikturat e tyre kanë përfshirë simbole si muri, kafazi dhe zinxhiri.
Ndërkaq, paraprakisht, njëra nga anijet e flotës, Amal, ishte kthyer në Barcelonë për arsye të disa problemeve teknike. Rrjedhimisht, anija Zaytouna kishte vazhduar rrugëtimin e vetme deri në stacionin në Sicili të Italisë, ndërsa që aty të martën ishte nisur së bashku me një varkë tjetër e cila i ishte bashkangjitur asaj.
Koalicioni i Flotës së Lirisë i cili po vepron me mbështetjen e organizatave të shoqërisë civile nga vende të ndryshme të botës, si Turqia, Kanadaja, Meksika, Spanja, Norvegjia, SHBA-të dhe Australia, synon të arrijë në Gaza duke i tejkaluar përmes “fuqisë së grave” ushtarët e Izraelit të cilët i kishin penguar iniciativat e mëparshme.
Parashihet që flota të arrijë në Gaza në fillim të muajit tetor.