Gülşen Topçu
26 Shtator 2015•Përditësim: 26 Shtator 2015
GAZA (AA) - Artistja palestineze, Selva es-Sibahi përdor kafen e bluar si material bazik për të pikturuar, shkruan Anadolu Agency (AA).
Kjo vazjë e re palestineze tregon se përskaj vështirësive me të cilat ballafaqohen artistët palestinezë, ka arritur të bëjë diçka pozitive dhe të pikturojë personalitete apo ngjarje të shumta.
“Me pikturat e mia përcjell mesazhin se, përskaj embargos, varfërisë dhe luftës, shumë njerëz të talentuar gjenden në Gazë”, tha Sibahi.
Sibahi është diplomuar në Akademinë e Arteve në Universitetin Aksa, në Gazë. Ajo i prezantoi pikturat e saj në ekspozitën e parë të pavarur e cila është hapur në hotelin Almashtal në Gazë. Pikturat e saj tërhoqën vëmendjen e shumë artistëve, por edhe të qytetarëve të cilët kishin ardhur të vizitojnë ekspozitën e pazakontë.
Ajo me anë të kafes së bluar ka pikturuar presidentin e parë palestinez Yaser Arafat, themeluesin e Hamas-it Ahmed Yasin, si dhe shumë personalitete të tjera të historisë së Palestinës.
Artistja në fjalë në një deklaratë për AA tregoi se si filloi para katër viteve ta përdorë kafen e bluar në vend të ngjyrave dhe shtoi se ajo është artistja e parë e cila përdor këtë teknikë në Palestinë.
Sibahi theksoi se në fillim ka qenë shumë vështirë, porse tani ka më shumë përvojë.