Ahmet Sait Akçay
15 Dhjetor 2017•Përditësim: 16 Dhjetor 2017
HATAY (AA) – Pavarësisht kalimit të viteve, një refugjate siriane në Turqi akoma është e përhumbur nga tmerret e së kaluarës së saj nën regjimin e Asadit.
33-vjeçarja Muna B. tashmë dy vite jeton në distriktin Reyhanli të krahinës juglindore Hatay të Turqisë. Para se të ikte në Turqi, ajo u arrestua dhe u burgos në kryeqytetin sirian Damask, pasi burri i saj kaloi dy vjet në paraburgim dhe vdiq atje nga tortura.
Muna, nënë e dy fëmijëve, ende është duke luftuar për jetën dhe përpiqet të derdh kujtimet e saj të dhimbshme. Duke folur për Anadolu Agency (AA), ajo kujton: “Kemi pasur një jetë të vështirë për dy vjet. Ne nuk kemi humbur shpresën derisa morëm lajmin për vdekjen e burrit tim. Ata as nuk na dhanë trupin e tij. Nuk kishim askënd për t’u mbështetur. Ne kemi humbur shumicën e të afërmve tanë gjatë luftës civile”.
Në vijim, shpjegon Muna, “Më vendosën në një qeli të vetme dhe iu nënshtrova torturave të ndryshme. Nuk kisha ushqim. Më është dhënë shok elektrik dhe jam rrahur nga shufra prej hekuri”.
Tmerret e mëtejshme pasuan, në formën e përdhunimit. “Më e keqja ishte përdhunimi. Në një qeli nëntokësore burgu kam vuajtur tmerrësisht për disa javë. Nuk mund t’i harroj ato ditë”, shprehet Muna.
Ajo kaloi pothuajse shtatë muaj burgim para se të lirohej si pjesë e një shkëmbimi të burgosurish. Aktualisht, ajo punon për të rritur dy fëmijët e saj, 11 dhe 13 vjeç, që jetojnë në një shtëpi të marrë me qira nga fondacioni humanitar IHH, organizatë humanitare turke.
Sipas OKB-së, Siria sapo ka filluar të dalë nga një luftë shkatërruese qytetare që filloi në vitin 2011. Që atëherë, qindra mijëra njerëz janë vrarë në konflikt dhe miliona janë zhvendosur.
Turqia aktualisht strehon 3,2 milionë refugjatë sirianë, më shumë se çdo vend tjetër në botë.