Eshat Fırat
19 prill 2017•Përditësim: 19 prill 2017
ARRABA (AA) – Eshat Fırat
Gruaja palestineze e cila ka qëndruar më së shumti si e burgosur në burgjet izraelite, Lina el-Cerbuni thotë se gëzimet e tyre janë gjithmonë të hidhura, meqë sipas saj gëzimin e vërtetë do ta jetojnë kur të lirohen të burgosurit palestinezë.
Cerbuni, në një aktivitet të organizuar për të në qytetin Arraba të rajonit Xhelile i cili ndodhet në pjesën jugore të Izraelit, në një deklaratë për gazetarin e Anadolu Agency (AA) foli lidhur me vitet e saj të kaluara në burgjet izraelite, për përjetimet e grave palestineze të burgosura, për synimet e saj në moshën e rinisë dhe për grevën e urisë të filluar nga 2 mijë të burgosur palestinezë.
42 vjeçarja Cerbuni e cila kishte përcjellë nga afër incidentet që kishin filluar me hyrjen e kryeministrit të Izraelit Ariel Sharon në oborrin e Mesxhid-I Aksas në vitet 2000-ta, në vitin 2002 ishte arrestuar nga policia izraelite me pretendimin se është anëtare e Lëvizjes Xhihadiste Islamike.
Cerbuni, në procesin gjyqësor ishte dënuar me 17 vite burg, kurse pas ankesës dënimi ishte ulur për 15 vite.
Cerbuni, e cila në kohën kur ishte burgosur ishte vetëm 27 vjeçare, duke i treguar përjetimet e saj në burgje tha se “Burgimi është i vështirë. Qëndrimi vetëm një ditor në burg është një dhimbje e madhe, kurse mendoni ju si mund të jetë të qëndrosh 15 vite”.
Duke theksuar se para burgimit kishte një jetë të thjeshtë dhe po ashtu me ëndrra, Cerbuni tha se “Edhe unë kisha një jetë normale dhe po punoja. Si çdo kush që ka plane për jetën, edhe une kisha plane dhe ëndrra. Por, me një goditje të hidhur, të gjitha mbetën në gjysmë”.
“Gëzimet tona mbesin gjithmonë të hidhura”
Cerbuni, e cila po e përjeton gëzimin e bashkimit me familjen e saj përsëri, tha se “Edhe pse sot jam në mesin e popullit dhe familjes time, gëzimet tona gjithmonë janë të paplota, gëzimet tona mbesin gjithmonë të hidhura. Gëzimin e vërtetë dhe lumturinë do ta përjetojmë kur do të lirohen të gjithë të burgosurit palestinezë”.
Ajo bëri të ditur se gjatë kohës që ndodhej në burg, ishte përpjekur të realizojë programe të ndryshme për lexim, edukim dhe kulturë, si dhe për të mësuar hebraisht.
Cerbuni theksoi se momentet më të vështira gjatë kohës që ndodhej e burgosur ishte koha kur “gratë në gjendje të plagosur” silleshin në burgje.
“Gra të shumta palestineze, gjatë kohës së paraburgimit qëndronin në gjendje të plagosur. Disa prej tyre edhe pse ishin në një moshë shumë të re ishin arrestuar nga ushtarët izraelitë dhe pastaj ishin dënuar me burg. Përballja me këto raste ishin ndoshta momentet më të vështira për ne”, tha Cerbuni.
Ajo theksoi se gratë e burgosura palestineze i ekspozoheshin trajtimeve të papranueshme të Izraelit. Cerbuni tha se një prej këtyre rasteve ishte kur atyre u hiqeshin të gjitha rrobat për t’u inspektuar gjatë kohës kur transferoheshin në ndonjë burg tjetër ose kur dërgoheshin në seanca gjyqësore.
Cerbuni tha se tani pas 15 vitesh burgim e kishte të vështirë ta njihte atdheun e saj. Duke folur për pritjet e saj për jetën, Cerbuni tha: “Unë do të vazhdoj të jem në komunikim me gratë e burgosura palestineze. Do të jem pranë tyre dhe do t’i mbroj të drejtat e tyre. Po ashtu duhet ta përfundoj shkollimin tim. Gjatë kohës që isha e burgosur nuk m’u lejua ta përfundoj shkollimin. Shpresoj që sa më parë do ta përfundoj edhe atë”.
Ajo bëri të ditur se mesazhi i përbashkët i të burgosurve palestinezë është: “Duhet të përfundojnë ndarjet në mes të palëve palestineze. Duhet të përfundojnë mosmarrëveshjet në mes të Hamasit dhe Lëvizjes Fatah si dhe duhet të fokusohet në problemet e popullit palestinez”.
Duke theksuar se populli palestinez ka paguar kosto të lartë në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë dhe se ende vazhdon të paguaj atë kosto, Cerbuni tha se “Çështja e Palestinës nuk duhet të jetë vetëm e palestinezëve, por edhe çështje e të gjithë muslimanëve dhe arabëve. Kjo çështje nuk duhet t’u ngarkohet vetëm palestinezëve. Mbrojtja e Mesxhid-i Aksas, Palestinës dhe Jerusalemit duhet të jetë përgjegjësi e të gjithëve. Çdo musliman duhet të veprojë për lirinë dhe ndalimin e dhimbjeve të palestinezëve”.
Duke folur edhe për grevën e urisë të nisur ditën e hënë nga rreth 2 mijë palestinezë të burgosur në burgjet izraelite, Cerbuni tha se "Vendimi për grevë të urisë është vendimi më i vështirë. Nuk është e lehtë të marrësh këtë vendim sepse me të vërtetë mund të them që kjo është vështirësia më e madhe që një njeri mund ta përjetojë. Të burgosurit po mbesin të detyruar për ta marrë këtë vendim për t’i përmirësuar kushtet e tyre të jetesës”.
Cerbuni, u lirua javën e kaluar pasi përfundoi dënimin me burg prej 15 vitesh në burgjet izraelite.