Zehra Ulucak
29 Qershor 2017•Përditësim: 30 Qershor 2017
ANKARA (AA) – Shkencëtarët kanë zbuluar se niveli i lartë i inteligjencës te fëmijët ka ndërlidhje me jetëgjatësinë e tyre, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në një artikull të publikuar në revistën "BMJ", hulumtuesit nga Universiteti Edinburgh kanë analizuar të dhënat e 33.536 meshkujve dhe 32.229 grave nga Skocia të cilët në vitin 1936, në moshën 11 vjeçare kanë hyrë në testin e inteligjencës.
Hulumtuesit të cilët shqyrtuan ndërlidhjen në mes nivelit të inteligjencës së këtyre personave në fëmijëri dhe arsyes së tyre të vdekjeve deri në muajin dhjetor të vitit 2015, zbuluan se te fëmijët e moshës 11 vjeçare të cilët kishin nivele më të larta të inteligjencës janë parë më pak vdekje për shkak të sëmundjeve si sëmundjet koronare të zemrës, paralizat, disa lloje të kancereve, sëmundjet e rrugëve të frymëmarrjes, sëmundjet e sistemit të tretjes, shkaqet e jashtme si lëndimet si dhe nga demanca.
Për shembull, tek personat të cilët në fëmijëri kishin nivele më të larta të inteligjencës ishin 28 për qind më pak të rrezikuar të humbin jetën nga sëmundja e rrugëve të frymëmarrjes, 25 për qind mundësi më të vogël të vdekjes nga sëmundjet koronare të zemrës dhe 24 për qind mundësi më të vogël të vdekjes nga paralizat.
Në hulumtim është parë një ndërlidhje e rëndësishme në mes të nivelit të inteligjencës dhe të vdekjeve të shkaktuara nga lëndimet, kanceri i mushkërive dhe i stomakut të lidhura me përdorimin e duhanit, sëmundjet e sistemit të tretjes, etj.