PRISHTINË (AA) - Me rastin e 27 Prillit, Ditës së Personave të Pagjetur në Kosovë, për herë të parë sot, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur seancë plenare dedikuar personave të pagjetur që nga lufta e vitit 1999, në këtë vend, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas kësaj seance, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në prezencë të familjarëve të qytetarëve të zhdukur dhe ende të pagjetur të Kosovës, në oborrin para ndërtesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës e kanë zbuluar përmendoren në shenjë nderimi dhe kujtimi të të pagjeturve nga lufta e fundit.
Me rastin e zbulimit të përmendores për personat e pagjetur, kryeministri Mustafa iu drejtua të pranishmëve duke thënë se, dita e sotme është ditë e vështirë për të gjithë ne në Kosovë dhe ka porositur se Qeveria është e përcaktuar dhe do të këmbëngul në gjetjen e të gjithë personave të zhdukur.
“Ne do të vazhdojmë më tutje që të punojmë në mënyrë që të identifikohen njerëzit tanë që janë humbur dhe nuk janë gjetur akoma, të kthehen në gjirin e familjeve të tyre, të marrin përgjegjësinë para ligjit dhe para drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakrat, në zhdukjen e familjarëve tuaj. Do ta bëjmë këtë çështje jo vetëm çështje të Kosovës, por do ta bëjmë edhe çështje ndërkombëtare që të krijohet një gjyqësor me çdo kusht, që për këtë të diskutohet në institucionet më të larta ndërkombëtare, përfshirë edhe Brukselin, që të bëhet presion në Serbinë, në mënyrë që të kthehen familjarët tuaj dhe tanë, dhe poashtu jo vetëm që të kthehen, por edhe të marrin përgjegjësi para ligjit dhe drejtësisë të gjithë ata që morën pjesë në masakra, të gjithë ata që ishin pjesëtarë të forcave ushtarake dhe paramilitare serbe dhe të gjithë ata që e shkaktuan këtë dhimbje dhe këtë padrejtësi në vendin tonë”, ka thënë Mustafa.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka porositur se me ngritjen e kësaj përmendoreje po dërgohet edhe porosia politike se Kosova është përcaktuar për marrëdhënie të mira fqinjësore por se, kjo mund të arrihet vetëm atëherë kur personat e zhdukur të prehen të qetë në tokën e shteteve të tyre.
Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, Lirije Kajtazi, kryetarja e Komisionit për të drejtat e njeriut, barazi gjinore, persona të pagjetur dhe peticione, ka deklaruar se çështja e të pagjeturve është çështje humanitare dhe jo politike. Ajo ka theksuar se dihet që shteti i Serbisë është adresa për zgjidhjen e fatit të personave të zhdukur në Kosovë.
“Për të zgjidhur kjo çështje shumë e ndjeshme dhe për të ndodhur paqja në këto hapësira, duhet sërish angazhim dhe presioni faktorit ndërkombëtar si garanci e zgjidhjes së fatit të pagjeturve aq më tepër kur dihet se agresioni ishte shtetëror, dhe natyrisht se mund të dokumentohet më lehtë edhe nga arkivat serbe, por edhe nga dëshmitë e atyre që mbijetuan”, ka thënë Kajtazi.
Ajo ka vlerësuar se duhet të zbardhet plotësisht e vërteta për zhdukjen e qytetarëve shqiptarë të Kosovës dhe e vërteta mbi Serbinë dhe terrorin e organizuar shtetëror, si dhe ka shprehur shpresën e saj se shpirti human i Evropës do ta detyroi Serbinë që të marr pjesë në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Në emër të familjarëve të personave të zhdukur, delegatëve të Kuvendit të Kosovës iu është drejtuar Bajram Qerkinaj.
Ai ka theksuar se Serbia duhet t’i jap fund epokës së Millsheviçit dhe të jap përgjigje për fatin e të zhdukurve.
“Po flas në emër të atyre familjarëve të të pagjeturve për të cilët lufta akoma nuk ka përfunduar dhe liria për ta nuk ka kuptim të plotë. Pra, në emër të familjarëve që vazhdojnë të jetojnë e të vuajnë në pritje dhe dhimbje, dhe vuajtja e jonë, pritja e jonë dhe dhimbja e jonë duhet të jetë mësim dhe udhërrëfyes për juve”, ka porositur Qerkinaj.
Ai në emër të familjeve të të pagjeturve paraqiti gjashtë kërkesa për aktivitete konkrete të cilat duhet t’i ndërmarrin institucionet kosovare.
“Kërkojmë përshpejtimin e punës në gjetjen e edhe 1650 njerëzve të cilët, tash e 16 vjet, janë të pagjetur. Kërkojmë urgjentisht të fillojnë të veprojnë mekanizmat e drejtësisë me qëllim që kryesit serb të krimeve të rënda të luftës dhe gjenocidit të gjenden para drejtësisë”, tha Qerkinaj.
Më tutje, ai ka kërkuar që çështja e të pagjeturve të shtrohet edhe në tavolinën e bisedimeve në Brukse, që me amendamentet të përmirësohet Ligji për personat e zhdukur gjatë luftës në Kosovë, që Kuvendi i Kosovës ta mbajë premtimin e dhënë përmes të Rezolutës për ngritjen e Qendrës memoriale për personat e Pagjetur dhe që të fuqizohet Komisioni qeveritar për të pagjeturit.
Në kuadër të 27. prillit, Ditës të Pagjeturve në Kosovës, zyrtarët e lartë shtetëror të institucioneve kosovare do ta vizitojnë Kompleksin memorial në Meje të Gjakovës, ku është shënuar numri më i madh i personave të pagjetur, si pasoj e vrasjeve dhe masakrave të bëra gjatë luftës nga ushtria dhe policia serbe