Ekip
19 Maj 2016•Përditësim: 19 Maj 2016
LONDËR (AA) – Sipas raportit të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e publikoi të enjten, jetëgjatësia e pritur në botë është rritur për pesë vite gjatë 15 viteve të fundit. Kjo është rritja më e madhe që është regjistruar që nga vitet gjashtëdhjeta të shekullit të kaluar, raporton Anadolu Agency (AA).
Rritja më e madhe e jetëgjatësisë ka ndodhur në Afrikë për shkak të përmirësimit në mbrojtjen shëndetësore të fëmijëve dhe qasjen më të mirë për medikamentet, duke përfshirë edhe ato për malarian dhe AIDS.
OBSH thekson se shikuar në aspektin global, jetëgjatësia e pritur për një foshnje të lindur në vitin 2015, është 69 për burrat dhe 71 për gratë.
Gjithashtu theksohet se gratë në Japoni dhe burrat në Zvicër zakonisht jetojnë më gjatë, ndërsa në Sierra Leone kanë më së paku jetëgjatësi të pritur për të dyja gjinitë.
Në raport thuhet se ka probleme me të dhënat e disa vendeve , dhe se rreth gjysma e të gjitha rasteve të vdekjeve në botë nuk janë regjistruar.