Bekim Laci
07 Nëntor 2015•Përditësim: 08 Nëntor 2015
SHKUP (AA)- Sektori i Punëve të Brendshme në Kumanovë doli me një reagim lidhur me zhvillimet e fundit në Kriva Pallankë në të cilin thuhet se janë marrë të gjitha masat për kapjen e autorëve të cilët mbrëmë demoluan një shtëpi private e cila shfrytëzohej si faltore nga besimtarët muslimanë, raporton Anadolu Agency (AA).
"Në koordinim me Prokurorinë Themelore Publike po ndërmarrin masa intensive për zbardhjen e plotë të rastit dhe kapjes së autorëve të cilët mbrëmë demoluan shtëpinë private (e cila shfrytëzohej si faltore e besimtarëve myslimanë) në këtë qytet ku dje mbi një mijë qytetarë mbajtën protestë kundër ndërtimit të një xhamie", thuhet sot në njoftimin e policisë së Kumanovës.
“Të njëjtën ditë rreth orës 18:30 në momentin kur objekti ka qenë i zbrazët, autorë të panjohur kanë dëmtuar të njëjtin. Ekipi hetimor nga stacioni policor doli në vendngjarje dhe me autorizim të Prokurorit publik zhvilloi hetime dhe konstatoi dëmtimin e tetë xhamave dhe inventarit të shtëpisë”, thuhet mes tjerash në komunikatën e policisë.
Ndërkohë myftiu i Kumanovës, Abedin Imeri me disa bashkëpunëtorë të tij sot vizitoi besimtarët muslimanë në Kriva Pallankë. Në një deklaratë për Anadolu Agency ai tha se faltorja myslimane është e liçencuar nga Bashkësia Islame e Maqedonisë (BFI), ndërsa tha se komuniteti musliman atje ndjehet i shqetësuar dhe i frikësuar për sigurinë e vet.
Myftiu Imeri akuzoi kryetarin e Kriva Pallankës si nxitës të kësaj dhune.
“Ai dha një deklaratë nxitëse ditë më parë e cila shtyri njerëzit të ushtrojnë dhunë. Ai tha se gjatë kohës sa do të jetë kryetar i Kriva Pallankës nuk mund të ndërtohet xhami atje”, deklaroi myftiu i Kumanovës, Abedin Imeri.
Përndryshe, Kriva Pallanka është një qytezë me rreth 15 mijë banorë, ku shumica absolute i përket besimit ortodoks. Në këtë qytezë jetojnë rreth 600 pjesëtarë të komunitetit romë.