Kristina Maslareviç
20 Nëntor 2015•Përditësim: 20 Nëntor 2015
BEOGRAD/PRESHEVË (AA) – Qindra migrantë të cilët dje nuk kanë mundur të hyjnë në territorin e Serbisë, kanë mbetur në "tokën e askujt" në kufirin ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).
Qeveria e Serbisë ka sjellë vendim që të kufizojë lëshimin e migrantëve nga Lindja e Mesme dhe se në territorin e Serbisë mund të hyjnë vetëm refugjatët që vijnë nga vatrat e prekura nga lufta, Siria, Afganistani dhe Iraku. Vendim të ngjashëm ka marrë edhe Qeveria kroate.
- Hyrja vetëm me dokumente -
"Nuk mundem më tej, është problem. Kufiri është mbyllur. Tani kam ardhur në Serbi dhe duhet patjetër të kthehem. Por kjo është problem, nuk kam para dhe nuk e di se si të kthehem në shtëpi", ka thënë Suel Buja, i cili ka arritur nga Bangladeshi, ndërsa nuk ka qenë i njohur me atë se nuk do të mund të vazhdojë rrugëtimin e tij drejt ndonjë vendi evropian.
Sipas kushteve të vendosura për tri vendet e prekura nga lufta, në Serbi mund të hyjnë vetëm ata migrantë të cilët kanë dokument personal gjatë regjistrimit paraprak në Maqedoni ose Greqi.
"Kur kam arritur këtu, policia më kërkoi dokument dhe më pas më thanë se duhet patjetër të shkoj nëse nuk kam dokument të regjistrimit. Kam dokument nga shkolla, i cili është dëshmi se kam qenë në shkollë në Afganistan. Të gjithë që kanë dokument kalojnë dhe nuk e di përse unë nuk mund të kalojë edhe përskaj dokumentit", thotë për AA Muhamed Mahru, i cili në Preshevë ka ardhur nga Afganistani.
Megjithatë, në qendrën e pranimit i kanë thënë se nuk mund të regjistrohet, meqë nuk ka dokument as nga Greqia, as nga Maqedonia. Ai pohon se dokumentin të cilin e ka marrë në Greqi, e ka humbur gjatë rrugës, ndërsa në Maqedoni nuk i kanë dhënë asgjë.
Ai thotë se nuk e di se çfarë do të bëjë më tej pasiqë nuk ka para.
Valon Arifi, drejtor i organizatës "Youth For Refugees" ka theksuar se shumë refugjatëve të cilëve nuk iu është lejuar të hyjnë dhe të kalojnë nëpër Maqedoni, Serbi dhe Kroaci janë nga Palestina.
"Mendoj se sa kanë të drejtë njerëzit nga Siria, Afganistani dhe Iraku, po aq kanë të drejtë edhe njerëzit nga Palestina. Të gjithë refugjatët nga lufta kanë të drejta të njëjta dhe kjo që ndodhi është kundër Konventës Evropiane dhe të drejtave të njeriut dhe më shumë kundër të drejtave të refugjatëve", thotë Arifi.
- Problem është i gjithë itinerari i migrantëve -
Ministri i Punës, Punësimit dhe të Çështjeve Sociale në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin ka vërtetuar dje se në Serbi nga Maqedonia nuk mund të hyjnë migrantë ekonomik, gjegjësisht refugjatë të cilët nuk janë nga rajonet e prekura nga luftërat. Ai ka sqaruar se Serbia e ka patur patjetër të zbatojë masa reciproke që të mbrohet ndaj migrantëve të caktuar, të cilët për shkak të vendimit të Kroacisë dhe Sllovenisë nuk mund të vazhdojnë rrugën drejt Bashkimit Evropian.
Ai paralajmëron se problemi duhet patjetër të zgjidhet në nivel të tërë rrugës së migrantëve, me vlerësimin se hapat e njëanshëm mund të jenë të dëmshme dhe mund të shkaktojnë probleme.
"Serbia do të mbrojë territorin e saj. Nuk do të lejojmë që në vendin tonë të hyjë dikush që nuk mund të vazhdojë rrugëtimin, sepse ne nuk jemi shtet në të cilin ata vijnë për të mbetur, por vetëm kalojnë nëpër të", ka thënë Vulin.