Admir Fazlagikj
03 Mars 2016•Përditësim: 04 Mars 2016
SHKUP (АА) – Sot në Shkup filloi forumi rinor me temë: “Prezantimi i pakicave në mediat e reja në Evropën Qendrore dhe Lindore”, në organizim të Asociacionit për edukim “Të rinjtë info Internacional”, i mbështetur nga programi Evropa për qytetarët dhe Nisma e Evropës Qendrore i cili do të zgjatë dy ditë, raporton Anadolu Agency (AA).
Në forum do të marrin pjesë 50 të rinj nga 14 vende të Evropës Qendrore dhe Lindore, duke përfshirë edhe Maqedoninë.
Forumi ka për qëllim që të zbulojë se si mediat e reja i prezantojnë pakicat në këtë rajon dhe si ky proces kontribuon për promovimin e diversitetit. Në kuadër të forumit do të prezantohen rezultatet e monitoringut rajonal që u zbatua mbi 12 media të reja në Bullgari, Greqi, Kroaci dhe Maqedoni.
Analiza e mediave të reja në rajon është e para e këtij lloji dhe siguron rezultate si individuale, ashtu edhe krahasuese për cilësinë e prodhimeve në mediat e reja në vend dhe në rajon. Hulumtuesit e rinj ndoqën punën e mediave të reja në periudhën prej qershorit dhe korrikut të vitit 2015.
Marko Troshanovski, studiues kryesor i projektit për prezantimin e pakicave në mediat e reja thekson se në mediat e Maqedonisë, gjegjësisht në ueb-sajtet, pakicat gjithnjë e më shumë prezantohen përmes temave politike, se sa përmes temave të cilat trajtojnë praktikë të përditshme dhe pozitive në sfera të ndryshme.
“Ajo që është karakteristike për studimin nga aspekti se si ueb-sajtet e Maqedonisë i mbulojnë çështjet e pakicave është se zgjedhin tema të cilat ndërlidhen me politikë, lidhur me pakicat, nuk dominojnë tema të cilat ndërlidhen me jetën e përditshme të pakicave”, theksoi Troshanovski duke shtuar se në rastin e Maqedonisë, temat të cilat kanë qenë dominante në mediat e Maqedonisë janë në fakt tema të cilat kanë si objektiv pakicën shqiptare në Maqedoni, si dhe temat të cilat nuk mund të evitohen, e të cilat ndërlidhen me krizën e migrantëve dhe të refugjatëve.
Sipas axhendës së forumit, përveç rezultateve të monitoringut rajonal të mediave të reja, forumi do të përfshijë edhe katër panel diskutime.