Agim Sulaj
23 Shtator 2019•Përditësim: 23 Shtator 2019
Nën organizimin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, ka filluar sot punimet në Prishtinë forumi rinor katër-ditor i titulluar “Qasja e të rinjve në të drejtat e njeriut”, raporton Anadolu Agency (AA).
Ngjarja e cila ka mbledhur të rinj nga radhë të komuniteteve, besimeve fetare e sfondeve gjuhësore të ndryshme, ka zgjuar interesim për pjesëmarrje tek shumë të rinj në ditën e parë.
Rreth 90 pjesëmarrës të rinj, bashkë me folës të ndryshëm nga organizata ndërkombëtare, organizata joqeveritare dhe struktura lokale politike, do të reflektojnë gjatë këtij forumi katërditorë mbi mënyrat e fuqizimit të rinisë në funksion të krijimit dhe ruajtjes së shoqërive demokratike stabile.
Zëvendësshef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Kilian Wahl, tha se qëllimi i tyre është që ta lidhin rininë me aktivistë inspirues profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që të jenë të mirë-pajisur për karrierë.
“Sfidat me të cilat ballafaqohet Kosova sot kanë nevojë për ide të reja, për qasje të reja. Dhe këto ide duhet të vijnë nga ju nga gjenerata e ardhshme e Kosovës. Misioni i OSBE-së është që të promovojë të drejtat e të rinjve dhe shkathtësitë dhe aftësitë e tyre për të kontribuuar për kohë afatgjate”, tha Wahl.
Këshilltari për Komunitetet Pakicë dhe Trashëgimi Fetare e Kulturore nga Zyra e BE-së në Kosovë, Stefano Gnocchi, tha se rinia është motori që mund ta bëjë shoqërinë më të mirë, ndërsa për këtë tha se ka sinkronizim ekipor për të arritur sukses.
“Fokusi, përqendrimi jonë për rininë është gjithëpërfshirës dhe i kalon të gjitha aspektet deri në sjelljen e ndryshimit shoqëror”, tha Gnocchi i cili shtoi se rinia kosovare është sjellëse dhe bartëse e ndryshimeve.
Gjatë katër ditëve sa do të zgjasë forumi, do të mbahen tri seanca plenare mbi fuqizimin e lidershipit tek të rinjtë, arritjen e barazisë gjinore dhe pjesëmarrjen e shtuar në procese vendimmarrëse.
Në vijim të seancave plenare, pjesëmarrësit do të ndahen në tri grupe të fokusuara ku do shtjellohen sfidat e të drejtave të njeriut në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizimit; të drejtat e njeriut, toleranca dhe liria e besimit; si dhe të rinjtë dhe siguria.