Ekip
12 Prill 2020•Përditësim: 13 Prill 2020
Mbi 1.600 raste të reja të konfirmuara me koronavirusin e ri (COVID-19) dhe 268 vdekje u raportuan në Belgjikë gjatë 24 orëve të fundit, nga 1.351 raste dhe 327 vdekje të regjistruara një ditë më parë, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas të dhënave të fundit të qendrës kërkimore "Sciensano", në Belgjikë 29.647 paceintë janë diagnostikuar me koronavirus dhe 3.600 persona kanë vdekur që nga shpërthimi i koronavirusit.
Aktualisht, 5.353 pacientë janë duke u trajtuar në spital, ndërsa 6.463 janë shëruar nga koronavirusi që nga mesi i muajit mars.
Masat për të shpëtuar biznesin
Qeveria federale e udhëhequr nga Sophie de Wilmes dje njoftoi një paketë prej 50 miliardë eurosh për të ndihmuar bizneset më të prekura nga pasojat ekonomike.
Qeveria do të japë garanci të kredisë për kompanitë në nevojë për të zgjatur kreditë e tyre bankare.
Punëtorët në sektorë të rëndësishëm, të tillë si shitja me pakicë dhe kujdesi shëndetësor, po ashtu do të lirohen nga taksat e të ardhurave gjatë punës jashtë orarit deri në 220 orë shtesë.
Qeveria po ashtu vendosi masa për të lehtësuar rekrutimin e punëtorëve sezonalë së fundmi të papunë për bujqësinë dhe industrinë ushqimore.
Rrëmujë në Bruksel
Në Anderlecht u arrestuan 45 persona, pasi një demonstratë përfundoi me përleshje të dhunshme me policinë.
Takime të tilla publike janë të ndaluara nën kufizimet e koronavirusit.
Turma ishte e përbërë kryesisht nga të rinj që protestonin në kujtim të një 19-vjeçari, i cili të premten po ndiqej nga policia përderisa po vozitej në mënyrë të paligjshme me një skuter dhe u përplas aksidentalisht në një makinë policie.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, virusi COVID-19 është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka tejkaluar shifrën 1.7 milionë, me pothuajse 110 mijë vdekje dhe afër 406 mijë të shëruar.