Seda Sevencan
17 Prill 2020•Përditësim: 17 Prill 2020
Një bukëpjekës në juglindje të Turqisë ka marrë përsipër detyrën e shpërndarjes së 1.000 bukëve çdo ditë për familjet në nevojë në kohën e bllokimit shkaku i koronavirusit të ri (COVID0-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Çetin Doğru, i cili ka një furrë buke në qarkun Kayapınar në provincën Diyarbakır, filloi me shpërndarjen e bukëve para 10 ditësh.
Ai thotë se shumë biznese janë mbylluar përkohësisht për shkak të masave qeveritare me qëllim të frenimit të përhapjes së virusit.
Bukëpjekësi gjithashtu ka punësuar katër persona që janë ndikuar dhe janë pezulluar nga puna.
"Pasi filluam të jepnim bukë falas, ne duhej të rrisnim prodhimtarinë tonë. Kështu që ne pjekim 2.000 bukë në dy ndërrime çdo ditë”, thotë Doğru.
Ai tha se do të vazhdojë me iniciativën e tij gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit dhe gjatë Festës së Bajramit.
Akti i bamirësisë së Doğru-t është bërë tërheqës edhe për të tjerët, ndërsa Mesut Ölgen, njëri nga punëtorët në furrë, tha se vullnetarisht ka vendosur të punojë për dy orë shtesë.
"Jeta është e mirë kur e ndajmë atë, gjithashtu kemi dashur të kontribuojmë," shtoi Ölgen.
Deri më tani, koronavirusi i ri ka shkaktuar vdekjen e 1.643 personave në Turqi ndërsa janë regjistruar rreth 74 mijë raste.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur pandemi globale.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti "Johns Hopkins" me qendër në SHBA, koronavirusi ka infektuar pothuajse 2.2 milionë njerëz, me rreth 146 mijë vdekje dhe rreth 556 mijë të shëruar.
Përkundër rritjes së numrit të rasteve të konfirmuara, shumica e njerëzve që infektohen me COVID-19 vuajnë nga simptoma të lehta para se të shërohen.