Ayhan Şimşek
24 shtator 2015•Përditësim: 24 shtator 2015
BERLIN (AA) – Marrëveshja mes Bashkimit Evropian për shpërndarjen e 160.000 refugjatëve në mbarë Evropën është vetëm hapi i parë në zgjidhjen e krizës së refugjatëve, tha kancelarja gjermane Angela Merkel në Bundestag. Ajo shtoi se anëtaret e Bashkimit Evropian në zgjidhjen e problemit do të duhet të bashkëpunojnë së bashku me ato vende që kanë pranuar numër të madh të refugjatëve, siç është Turqia, raporton Anadolu Agency (AA).
Merkel, Qeveria e së cilës ka marrë rolin kryesues në zgjidhjen e krizës së refugjatëve e cila ngjau për shkak të ardhjes së 500.000 refugjatëve në Evropë gjatë këtij viti, tha se "është thellë e bindur se ajo që i nevojitet Evropës nuk është vetëm shpërngulja selektive e refugjatëve në mbarë kontinentin, por vendosja e procesit të përhershëm të shpërndarjes korrekte të refugjatëve në të gjitha anëtaret e Bashkimit Evropian".
"Kemi bërë vetëm hapin e parë, por akoma jemi shumë larg zgjidhjes së përhershme”, tha Merkel.
Kancelarja gjermane konsideron se shkaqet e krizës nuk duhet gjetur vetëm në Bashkimin Evropian, por se në këtë proces doemos duhet përfshirë edhe Rusia dhe SHBA-të. Opinion i saj është se ndarjet në bashkësinë ndërkombëtare lidhur me konfliktin në Siri, veçmas mbështetja e Rusisë për Bashar al-Assad, pjesërisht janë fajtorë për dështimin në gjetjen e zgjidhjes politike për luftën e cila po zgjat tashmë katër vite e gjysmë.
Merkel konfirmoi se liderët e BE-së kanë premtuar së paku një miliardë euro (1.12 miliardë dollarë) ndihmë për refugjatët sirianë, dhe se Turqia është kyçe në zgjidhjen e krizës.
“Vetëm në bashkëpunim me Turqinë mund të sigurojmë kufijtë tanë të jashtëm. Doemos duhet të kemi angazhim më të fuqishëm në vendet transitore dhe të mbështesim strehimin e refugjatëve, si dhe ndihmë të përgjithshme në luftën me trafikimin e njerëzve”, theksoi Merkel në Parlamentin gjerman.
Më 5 tetor është planifikuar të mbahet takim i Jean-Claude Junckera, kryetar i KE-së dhe Donald Tusk, kryetar i Këshillit të BE-së me presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Momentalisht, Turqia është vendi i cili ka pranuar më së shumti refugjatë në botë. Vlerësohet se vetëm nga Siria kanë ardhur rreth dy milionë refugjatë. Turqia gjatë pesë viteve të fundit për këtë situatë ka shpenzuar rreth tetë miliardë dollarë.
Pas Konferencës Evropiane të mërkurën mbrëma, Merkel theksoi se në bisedimet në zgjidhjen e krizës në Siri duhet të përfshihet edhe presidenti Assad, por edhe SHBA-të, Rusia, por edhe partnerë të rëndësishëm rajonal, mes tjerash, Irani dhe Arabia Saudite.