Emre Aşıkçı
23 Mars 2020•Përditësim: 24 Mars 2020
Klubi i Super Ligës turke të futbollit, Galatasaray, ka konfirmuar se nënkryetari Abdurrahim Albayrak ka rezultuar pozitiv në testin e koronavirusit të ri (COVID-19), raporton Anadolu Agency (AA).
Klubi turk tha se Albayrak dhe bashkëshortja e tij Şükran Albayrak ishin pozitivë në testin e COVID-19, duke shtuar se ata janë në gjendje të mirë shëndetësore në ditën e gjashtë të procesit të mjekimit.
Albayrak ka shërbyer si anëtar i bordit të klubit Galatasaray si një tifoz i zellshëm i klubit. Ai shërbeu si anëtar ekzekutiv në kategorinë e të rinjve nga viti 1992 deri më 1994.
Tani 65-vjeçar, Albayrak ishte anëtar ekzekutiv për degën e futbollit në periudha të ndryshme midis viteve 2001 dhe 2013. Në vitin 2014, ai u bë nënkryetar dhe ekzekutiv i degës së futbollit, por dha dorëheqjen nga pozicioni në 2015.
Albayrak sërish u zgjidh nënkryetar i klubit Galatasaray në një asamble të përgjithshme vjetore të mbajtur në vitin 2018.
Ndërkohë, rivalët e klubit Galatasaray, Fenerbahçe, përmes një postimi në profilin zyrtar në rrjetet sociale të klubit i kanë uruar shërim të shpejtë.
Turqia ka 1.236 raste të konfirmuara të virusit, me 30 vdekje deri më tani.
Virusi, i cili fillimisht u paraqit në qytetin kinez Wuhan në dhjetor, është shpërndarë në të paktën 167 shtete dhe rajone në botë, ndërsa sipas të dhënave të universitetit amerikan Johns Hopkins, numri i raste të konfirmuara ka tejkaluar shfirën 349.000, numri i vdekjeve është mbi 15.000, ndërsa mbi 100.000 persona janë shëruar nga sëmundja.