Muhammet Tarhan
14 Prill 2020•Përditësim: 15 Prill 2020
Artikulli i titulluar "Atë që bëjmë sot përcakton të nesërmen" i publikuar në gazetën The Washington Times, ku kryediplomati turk, Mevlüt Çavuşoğlu, paralajmëron komunitetin ndërkombëtar në këtë periudhë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), ka tërhequr vëmendjen në të gjithë botën, transmeton Anadolu Agency (AA).
I shkruar nga ministri Çavuşoğlu për gazetën The Washington Times më 2 prill të vitit 2020, ky artikull është raportuar në shumë gazeta nëpër kontinente të botës.
Krahas vendeve evropiane si Italia, Franca, Portugalia dhe Rumania, artikulli u botua në gjithsej 78 media, përfshirë institucionet e shtypit në Amerikën e Veriut dhe Amerikën e Jugut, si dhe në Azi e Afrikë.
Në artikullin e tij, Çavuşoğlu theksoi se rivaliteti gjeopolitik global dhe mosmarrëveshjet politike nuk kanë kuptim në këtë periudhë të pandemisë së koronavisurit të ri. Ai i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që t'i tejkalojë të gjitha mosmarrëveshjet, t‘u japë fund konflikteve dhe të punojë në përpjekje të dialogut dhe pajtimit.
Çavuşoğlu vuri në dukje se dhënia fund e konflikteve, që "shkaktojnë një kosto të rëndë për njerëzit, ekosistemin dhe ekonominë" është një çështje e rëndësishme që duhet të jetë në interes të çdokujt dhe për të cilën nevojitet një përgjigje globale.
"Për këtë arsye komunitetit ndërkombëtar, përfshirë edhe Lindjes së Mesme, i bëjmë thirrje që t'i tejkalojë të gjitha mosmarrëveshjet, t‘u japë fund konflikteve dhe të përpiqet seriozisht në arritjen e dialogut dhe pajtimit. Rivaliteti gjeopolitik dhe mosmarrëveshjet politike nuk kanë asnjë kuptim në këtë periudhë kur e dimë se të gjithë vuajnë dhe po luftojnë për shëndetin botëror. Kjo thirrje nuk do të mbetet pa përgjigje, nëse të gjithë ne ndajmë një minutë për të mbështetur këtë në mbarë botën", ka vlerësuar Çavuşoğlu.
Ndër të tjera, kryediplomati turk ka tërhequr vëmendjen se rastet COVID-19 janë rritur dhe se ky virus është përhapur në të gjitha kontinentet, përveç Antarktidës.
Më tej, në artikullin e tij Çavuşoğlu ka njoftuar se më shumë se një e treta e njerëzimit janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi dhe se fatkeqësisht shumë e më shumë humbje të jetëve do t'i shtohen numrit tronditës të vdekjeve që kemi pasur deri tani.
"Po ashtu e frikshme është edhe kostoja ekonomike e pandemisë, e cila pritet të ketë efekte afatgjate. Brishtësitë aktuale shtetërore të saj, ndikimi në politikë dhe në siguri patjetër se do të ndikojë edhe në qeveritë në të gjithë botën. Ne ende nuk e kemi parë dritën në fund të tunelit dhe nuk duhet ta presim këtë. Ky është një moment mendimi dhe në të njëjtën kohë një moment udhëheqjeje dhe veprimi", ka shkruar Çavuşoğlu.