Elena Teslova
28 prill 2020•Përditësim: 28 prill 2020
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi zgjatjen e masave të karantinës së vendit deri më 11 maj, me qëllim parandalimit të përhapjes së pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).
Putini tha se falë masave paraprake, Rusia arriti të përgatitet siç duhet për përballjen me përhapjen e virusit, të riorganizojë sistemin e kujdesit shëndetësor, si dhe të menaxhimit me rezervat e ilaçeve dhe pajisjeve, duke shtuar se të gjitha këto rezultuan në më pak raste dhe vdekje.
Masat e zgjatura përfshijnë vazhdimin e pezullimit të aktiviteteve të punës dhe mbajtjen e qyteteve të mëdha të mbyllura, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe qytetin e dytë më të madh Saint Petersburg.
Në të njëjtën kohë, Putin udhëzoi që qeveria deri më 5 maj të përgatisë rekomandime për daljen graduale nga karantina dhe një plan kombëtar për rigjallërimin e ekonomisë dhe veprimtarive të biznesit, paralelisht me marrjen e masave të nevojshme kundër ringjalljes në virusit.
Më herët gjatë ditës autoritetet ruse konfirmuan se 6.441 persona kanë rezultuar pozitivë në testin për COVID-19 gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 93.558.
Gjithashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 72 raste të reja të vdekjeve nga COVID-19, duke e çuar numrin e përgjithshëm të viktimave në 867.
Përpos kësaj, është rritur në 8.458 numri i të shëruarve, pasi 1.110 njerëz të tjerë u lëshuan nga spitalet.
Në Rusi janë kryer më shumë se 3,1 milion teste për COVID-19, ndërsa mbi 192 mijë njerëz janë nën mbikëqyrje mjekësore për shkak të dyshimit se janë infektuar.