Fatjon Cuka
21 Mars 2020•Përditësim: 21 Mars 2020
Në kuadër të masave shtesë kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), Shqipëria ka vendosur të ndalojë fluturimet me disa vende, transmeton Anadolu Agency (AA).
Në njoftimin e publikuar në rrjetet sociale nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thuhet se "Në kuadër të masave të ndërmarra nga Qeveria Shqiptare për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, njofton se duke filluar nga data 22 mars, ora 23:59, ndalohen të gjitha fluturimet nga dhe për Gjermani, Austri, Zvicër dhe Hungari".
Më herët është vendosur pezullimi i fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas për pasagjerët, si dhe ndalimi i fluturimeve me Britaninë e Madhe.
Kujtojmë se sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Shqipëri numri i rasteve me koronavirusin e ri(COVID-19) është rritur në 76, duke përfshirë edhe dy personat që kanë ndërruar jetë.
Institucionet në Shqipëri kanë marrë masa të shumta kundër përhapjes së koronavirusit të ri, ku përveç mbylljes së institucioneve arsimore, është vendosur edhe ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private, pezullimi i aktiviteteve futbollistike dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve.
Që nga shpërthimi në Wuhan të Kinës dhjetorin e kaluar, sëmundja, e njohur si COVID-19, ka shkaktuar mijëra të vdekur në mbarë globin. Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka shpallur sëmundjen pandemi globale.