Malik Hasa
16 Nëntor 2015•Përditësim: 17 Nëntor 2015
TIRANË (AA) – Ndeshja miqësore Shqipëri-Gjeorgji e luajtur në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” në Tiranë është mbyllur me rezultatin 2-2, ku golat nuk kanë munguar në të dyja pjesët e ndeshjes, raporton Anadolu Agency (AA).
Në fillim të ndeshjes u mbajt një minutë heshtje për të nderuar viktimat e sulmeve në Paris. Por para ndeshjes nuk munguar edhe incidentet, ku policia ndaloi disa tifozë të fusnin në stadium portretin e Ismail Morinës, i cili është në paraburgim dhe akuzohet për armëmbajtje pa leje.
E para ka shënuar skuadra gjeorgjane, që në minutën e dytë të ndeshjes, ku me golin e shënuar nga Amisulashvili ka kaluar në avantazh. Ndërkohë edhe pjesa e dytë ka qenë me fat për kombëtaren e Gjeorgjisë, ku Chanturia ka shënuar golin e dytë.
Por pas dy golave të skuadrës mike, ka ardhur radha e golave të ekipit shqiptar. Në minutën e 88 është shënuar goli i parë nga kombëtarja shqiptare, nga Basha, ndërsa kuqezinjtë arritën të barazojnë në minutat e fundit të ndeshjes, me golin e shënuar nga Cikalleshi.
Kjo ishte miqësorja e dytë që Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka zhvilluar pas kualifikimit historik për në “Francë 2016”, pas asaj që pati me Kosovën më 13 nëntor në Prishtinë.