Havva Kara Aydın
23 mars 2020•Përditësim: 23 mars 2020
Regjimi sirian i Bashar al-Assad ka konfirmuar rastin e parë të koronavirusit të ri (COVID-19) në Siri, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raporton agjencia zyrtare e lajmeve siriane SANA, ministri i Shëndetësisë i regjimit sirian, Nizar Yazigi, tha se personi i infektuar me koronavirus kishte ardhur nga jashtë.
"Janë marrë masa të përshtatshme për të trajtuar rastin", tha Yazigi.
Koronavirusi i ri, i njohur zyrtarisht si COVID-19, për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës dhe aktualisht, bazuar në të dhënat e Universitetit John Hopkins në SHBA, është përhapur në të paktën 169 vende dhe rajone.
Nga pothuajse 328 mijë raste të konfirmuara, numri i vdekjeve ka tejkaluar shifrën 14 mijë, ndërsa rreth 95 mijë janë shëruar.
Italia, Kina, Irani dhe Spanja vazhdojnë të jenë vendet më të prekura.
Pavarësisht numrit në rritje të rasteve, shumica e njerëzve që kontraktojnë koronavirusin vuajnë simptoma të buta para se të shërohen.