Besar Ademi
13 Janar 2017•Përditësim: 14 Janar 2017
VEVÇAN (AA) – Me rastin e festës së Vitit të Ri sipas kalendarit të vjetër, në Komunën e Vevçanit u hap zyrtarisht manifestimi “Karnevali i Vevçanit”, i cili konsiderohet si një prej kurioziteteve më të mëdha unike dhe kulturore në Maqedoni me traditë 1.400 vjeçare, si dhe i njohur si manifestim provokues përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme, raporton Anadolu Agency (AA).
Karnevali i cili u hap nga zv/ministri i Kulturës së Maqedonisë, Dragan Nedelkoviq, filloi me parakalimin e grupeve të personave të maskuar nga Mëhalla e Epërme dhe e Poshtme e këtij fshati, ndërsa për në mbrëmje është paraparë program atraktiv muzikor.
Për ngjarjet e vitit 2016, Vevçani përmes maskave drejtoi kritika ndaj udhëheqësit të Koresë Veriore, Kim Jong-un, i cili kërcënoi botën me katastrofën nukleare. Vevçani kritikoi edhe Universitetin e Prishtinës, për të cilin një burrë me plis në dorë mbante në dorë letra të shkruara “Diplomë për përfundimin me sukses të fakultetit të blerë”.
Ndërkohë nuk munguan edhe kritikat ndaj ngjarjeve në Maqedoni, të tilla si ndaj ambasadorin amerikan në Maqedoni, Jess Baily dhe biznesmenit amerikan, George Soros, me pankarta të shkruara “Dështuan në Ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë! Jeni të mirëpritur në Republikën e Vevçanit”. Poashtu u kritikuan edhe liderët e partive politike, protestave të ashtuquajtura “Revolucioni i larmë”, për federalizimin dhe kantonizimin, si dhe për dy gjuhësinë në tërë territorin e vendit.
Manifestimi do të përfundojë gjatë ditës së nesërme me djegjen e maskave, me të cilën besohet se njërëzit do të çlirohen nga e keqja, ndërsa viti vijues do të jetë më i mirë dhe me më shumë të ardhura.
Komuna e Vevçanit porositë që asnjë komunitet që jeton në Maqedoni të mos zemërohet me veprimet dhe maskimet e karnevalit, ndërkohë apelon që të mos ketë ndarje mes qytetarëve, pa marrë parasysh fenë apo komunitetin etnik, pasi që ky karneval e paraqet vendin si shtet multi-etnik.
“Karnevali i Vevçanit” përmes maskave dhe personifikimeve të ndryshme përcjellë mesazhet për ngjarjet e ndodhura gjatë vitit paraprak në vend dhe më gjerë, duke i kritikuar të njëjtat. Komuna e Vevçanit dhe karnevali i këtij vendi, janë anëtarë të Asociacionit të Qyteteve Botërore të Karnevaleve (FEEC).