Blerim Krasniqi
13 Maj 2016•Përditësim: 13 Maj 2016
PRISHTINË (AA) – Sonte në Teatrin Kombëtar në Prishtinë është shfaqur premiera e dramës me tekst të Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” dhe me regji të regjisorit maqedonas Martin Kocovski, raporton Anadolu Agency (AA).
Aktorët e shfaqjes janë: Astrit Kabashi, Bajrush Mjaku, Adrian Morina, Shkelzen Veseli, Lumnie Sopi, Arta Selimi, Albulena Kryeziu, Armend Baloku dhe Bujar Ahmeti. Skenografia dhe kostumet do të përgatiten nga Juliana Voykova, ndërsa muzika nga Oliver Josifovski.
Drama e Teki Dervishit “Eshtrat që vijnë vonë” trajton fatin e individit me identitet të humbur. Raportet mes njeriut i cili për pushtet e ka humbur identitetin dhe atij që përpiqet ta ruaj duke e sfiduar presionin dhe realitetin.
Shfaqja u prit shumë mirë nga publiku ku u vlerësua ideja e inskenimit regjisorial dhe loja e shkëlqyer e aktorëve.
“Eshtrat që vijnë vonë” do të shfaqet për publikun edhe disa herë deri në fund të sezonit dhe planifikohet që të udhëtojë edhe nëpër teatrot e tjera brenda dhe jashtë vendit.