Zülfiya Yakup
13 Korrik 2017•Përditësim: 14 Korrik 2017
PRISHTINË (AA) - Organizuar nga Misioni i OSBE-së në Kosovë, sot në Prishtinë u hap panairi afarist dyditor në të cilin prodhimet e tyre i kanë të ekspozuara për shitje rreth 30 sipërmarrëse të kombësisë shqiptare, serbe dhe nga komunitet tjera në veri dhe jug të lumit Ibër, raporton Anadolu Agency (AA ).
Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, ambasadori Jan Braathu, në hapjen e panairit tha se kjo shënon fundin e trajnimit me të cilin OSBE-ja mbështeti gratë sipërmarrëse nga Mitrovica dhe Peja, në një sërë temash që kanë të bëjnë me biznesin.
“Papunësia në Kosovë vazhdon të paraqes një problem të madh edhe pse shkalla e papunësisë është në ulje. Pjesëmarrja e grave kosovare në tregun e punës është më e ulëta në rajon, sepse statistikat flasin se 82 për qind të grave të afta për punë, nuk janë të punësuara. Kjo nuk është mirë as për familjet e tyre por as për shoqërinë në përgjithësi”, tha ai.
Fahrije Kelmendi nga fshati Lip, komuna e Zveçanit në veri të Kosovës, merret me blegtori, më konkretisht me prodhimin e qumështit, djathit dhe kajmakut, ndërsa kultivon edhe pemë nga të cilat prodhon marmeladë dhe kompot.
"Shesim nëpër panaire, familje, dhe përmes porosive me telefon, por ky rrjetëzim na ka ndihmuar shumë”, tha ajo.
Ljiljana Drazheviç nga OJQ “Inspirimi” nga Mitrovica e veriut, në stendën e saj kishte ekspozuar prodhime artizanale të punuara me dorë. Ljiljana thotë se për motoja e tyre është se “nëse nuk mund të dakordohemi politikisht, mund ta bëjmë ekonomikisht”.
"OJQ e ime është multietnike. Ne ekzistojnë tre vjet dhe vazhdimisht përpiqemi të bashkëpunojmë sepse kemi produkte të ngjashme. Bashkëpunimi i deritanishëm ka dhënë frutet e veta, sepse në këtë mënyrë ne gratë bëjmë përparim, nëse jo për ne, atëherë për fëmijët tanë ", tha Drazheviç.
Siç theksuan organizatorët e panairit, në disa stenda mysafirë do të jenë organizata dhe kompani të ndryshme ndërkombëtare për punësim në sektorin privat.
Përndryshe, Panairi i Sipërmarrësisë është pjesë e karvanit ose akademisë së dialogut mes Serbisë dhe Kosovës.