Dzihat Aliju
16 Nëntor 2015•Përditësim: 17 Nëntor 2015
SHKUP (AA) - Sot në Shkup u bë hapja solemne e ekspozitës së piktorit të njohur turk Ismail Acar me temën "Sulltanët në Shkup", raporton Anadolu Agency (AA).
Në hapjen solemne morën pjesë ambasadori i Turqisë në Maqedoni Ömür Şölendil, sekretari shtetërorë në Ministrinë e Kulturës së Maqedonisë Behixhudin Shehabi, përfaqësues të kompanive dhe institucioneve turke në vend, përfaqësues të organizatave joqeveritare, artdashës dhe të ftuar të tjerë.
Ambasadori turk Ömür Şölendil në fjalimin e tij falënderoi Institutit "Yunus Emre" për organizimin e këtij eventi si dhe veçanërisht piktorin e njohur Ismail Acar.
Drejtori i Institutit "Yunus Emre", Mehmet Samsakçı tha se si Institut kanë për detyrë që artin e Turqisë ta shfaqin dhe prezantojnë në Maqedoni dhe anasjelltas.
"Ismail Acar është një piktor i cili në Turqi dhe botë ka marrë pjesë në ekspozita personale dhe të përziera, i cili ka vizatime dhe komente të gjalla. Jemi të kënaqur për shfaqjen e ekspozitës 'Sulltanët në Shkup'", deklaroi Samsakçi.
Piktori Ismail Acar në deklaratën për gazetarin e AA-së tha se ekspozita e emërtuar "Sulltanët në Shkup" është pjesë e një sërë ekspozitash të cilat janë shfaqur në vende të tjera të botës.
Acar tha se ekspozita "Sulltanët në Shkup" përmban temën e një periudhe të kohës osmane. "Në ekspozitë ndodhen portretet e sulltanëve, kaftanë, kaligrafi dhe disa vepra të cilat mund të lexohen vizualisht", u shpreh piktori Acar.
Ai gjithashtu theksoi se për herë të dytë është duke bërë ekspozitë në Çifte Hamam. "Hapësirën e njohë shumë mirë, ka një atmosferë shumë të mirë. Natyrisht jam i emocionuar sepse ndodhem në Shkup. Jam i kënaqur sepse jam duke e shfaqur këtë ekspozitë këtu", tha ai.
Ekspozita do të jetë e hapur për të interesuarit dhe adhuruesit e artit prej 16 deri më 22 nëntor në Çifte Hamam e cila ndodhet në Çarshinë e vjetër të Shkupit.