Ivana Ramadanova
22 Shtator 2016•Përditësim: 23 Shtator 2016
SHKUP (АА) – Sot në rrugën “Maqedonia” në komunën Qendër të Shkupit zyrtarisht është hapur manifestimi i 12-të me radhë “Ditët e mjaltit të Maqedonisë”, raporton Anadolu Agency (AA).
Në kuadër të manifestimit u ekspozuan më shumë lloje të mjaltit dhe prodhimeve të tij nga bletarët e mbarë Maqedonisë, ndërsa organizator kryesor është shoqata e bletarëve “Matica” nga Shkupi.
Vizitorët të cilët do t’i vizitojnë standet me mjaltë, do të kenë mundësi për kontakt të drejtpërdrejt me bletarët dhe të marrin këshilla se si të njihet mjalti cilësor.
Manifestimin, nikoqir i së cilës është Komuna Qendër, zyrtarisht e hapi kryetari i Komunës Qendër Andrej Zhernovski, i cili theksoi se ky manifestim është me rëndësi të madhe për qytetin e Shkupit.
“Ky është manifestim i madh dhe serioz, tanimë tradicional i 12-ti me radhë. Komuna Qendër çdo herë do të jetë këtu të ndihmojë, sepse të gjithë ne këtu duhet më shumë ta shfrytëzojmë mjaltin që të jemi më të shëndetshëm”, deklaroi Zhernovski para të pranishmëve.
Në Maqedoni ekzistojnë mbi 8.000 bletarë me mbi 260.000 familje bletash. Këtë vit sipas njohurive të Federatës së Bletarëve, mesatarja e mjaltit të fituar është shumë e dobët me vetëm 1.8 kilogram gjatë dimrit dhe 7.3 kilogram nga bletaria lëvizëse.