Fatjon Cuka
08 Prill 2022•Përditësim: 11 Prill 2022
Në Shqipëri është mbajtur një manifestim në mbështetje të Ukrainës, popullit ukrainas dhe paqes, raporton Anadolu Agency (AA).
Qindra qytetarë janë mbledhur fillimisht në Sheshin "Skënderbej" në Tiranë dhe më pas kanë marshuar drejt Bulevardit "Dëshmorët e Kombit", duke shprehur mbështetjen e tyre për Ukrainën.
Pjesë e protestës ishin edhe shtetas ukrainas që jetojnë në Shqipëri, si dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim dhe zyrtarë të tjerë.
Me flamujt e Ukrainës dhe me flamujt e Shqipërisë në duar pjesëmarrësit në manifestim janë shprehur se me reagimin e tyre "përçojnë mesazhin në mbrojtje të të drejtave themelore të njeriut, në mbrojtje të jetës dhe paqes".
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjatë fjalës së tij tha se Tirana është me Ukrainën, është me të drejtën dhe me lirinë.
"Thirrja për diplomatët rusë është që ky është momenti që edhe ata të thonë kurrë më dhe nuk mund të jenë në shërbimin e një regjimi gjakatar. Me civilizimin që shoh sot, me solidaritetin që shoh sot Tirana është më evropiane se kurrë më parë. Unë jam shumë krenar për secilin prej jush që la atë që po bënte për të qenë këtu", theksoi Veliaj.
Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, në fjalën e tij theksoi se Rusia kërcënon jo vetëm Ukrainën "me mizorinë e saj çnjerëzore, por se kjo urrejtje është për të gjithë botën demokratike".
"Jam vërtetë krenar që përfaqësoj Ukrainën dhe ukrainasit sot këtu. I bëj thirrje gjithë botës së qytetëruar që të bëjë gjithçka që është e mundur për të transferuar në Ukrainë armët e nevojshme, për të vendosur sanksionet më të rënda të mundshme siç janë embargoja e energjisë, transportit dhe ajo ekonomike", tha Shkurov.
Ndërmjet video-lidhjes të pranishmëve iu drejtua me një mesazh edhe kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko.
Kujtojmë se zyrtarët e lartë të Shqipërisë dënuan ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Ukrainë, duke shprehur solidaritet me popullin ukrainas.
Gjithashtu Shqipëria iu është bashkuar masave shtrënguese të ndërmarra nga Bashkimi Evropian (BE) kundër Rusisë, duke vendosur sanksione ndaj individëve dhe subjekteve të ndryshme ruse, që përfshijnë masa kufizuese në financë, energji, transport dhe teknologji.