Besar Ademi
11 Tetor 2015•Përditësim: 12 Tetor 2015
SHKUP (AA) – Me rastin e 74 vjetorit të Ditës së kryengritjes popullore, në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë u nda çmimi shtetëror “11 Tetori” në fushën e kulturës dhe artit për vitin 2015, raporton Anadolu Agency (AA).
Fitues i çmimit “11 Tetori” për këtë vit në fushën e kulturës dhe artit është shkrimtari Mitko Maxhukov, ndërsa në fushën e shkencës dhe arsimit fitues janë profesori i gjuhës shqipe, Mahmud Hisa, kirurgu digjestiv, Nikolla Jankullovski, si dhe historiani Marjan Dimitrievski.
Historiani Marjan Dimitirievski tha se tek populli ka mendime të ndryshme se si të festohen festa, por e rëndësishme është se çdo festë ka vlerën e saj dhe ajo vlerë duhet vlerësuar.
“Festat janë një mundësi që populli dhe kombi i cili i feston të bashkohen për rreth saj. Historianët nuk i festojnë së koti këto festa në veprat e tyre që janë mjaftë të rëndësishme. Ata i japin bazat dhe themelet pse duhet ata të festohen, ndërsa diçka tjetër është ajo se si festohen”, deklaroi historiani Dimitrievski.
Profesori i gjuhës shqipe, Mahmud Hisa, tha se ky çmim është një shpërblim i rezultateve të punës së tij shumë vjeçare në studimet letrare të fushës së arsimit dhe kulturës, si dhe theksoi se dallon nga shpërblimet tjera që ka marrë në karrierën e tij.
“Kam dhënë një kontribut të madh për sa i përket arritjeve kulturore. Natyrisht se ky shpërblim është paksa prestigjioz dhe më kurorëzues se sa të tjerët. Çdo njeri që e merr këtë shpërblim ndjen një krenari të madhe, ky shpërblim ka vendin e vet dhe dallon nga të tjerët”, deklaroi Hisa.
Çmimi “11 Tetori” është mirënjohja më e lartë për vepër jetësore në fushën e shkencës, artit, ekonomisë dhe veprimeve tjera me interes publik të Republikës së Maqedonisë.