Besar Ademi
11 Tetor 2017•Përditësim: 12 Tetor 2017
SHKUP (AA) – Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në ceremoninë e shënimit të 11 Tetorit – Ditës së kryengritjes popullore, deklaroi se “Maqedonia si shtëpi e lirisë së të gjithë qytetarëve të saj është ylli i ri në nënqiellin evropian”, raporton Anadolu Agency (AA).
Kryeministri i Maqedonisë në adresimin e tij para të pranishmëve foli për Ditën e kryengritjes popullore, duke e quajtur atë si kryengritje të popullit maqedonas dhe të të gjithë qytetarëve të tjerë në Maqedoni, si dhe fillim të proceseve përfundimtare për vendosjen e Maqedonisë në hartën e popujve të botës.
Në vijim, Zaev tha se kur Maqedonia u krijua si shtëpi e lirisë, u krijua të jetë shtëpi e lirisë së mundësive dhe zgjedhjeve, lirisë së shprehjes dhe mendimit, si dhe liri për të jetuar të gjithë qytetarët e saj.
"Tani është koha pas të gjitha ndërprerjeve të fundit ta bëjmë shtetin tonë shtëpi për të gjithë, të gjithë fëmijët tanë ta shikojnë si destinacionin e tyre. Ne u detyrohemi t’u japim atyre arsye të mjaftueshme për të parë vendin e tyre në shtëpinë, Republikën e Maqedonisë. Tani është koha t’u dëshmojmë skeptikëve të fundit se Republika e Maqedonisë si shtëpi e lirisë e të gjithë qytetarëve të saj është ylli i ri në nënqiellin evropian, sepse e meritojmë atë vend”, deklaroi Zaev.
Kryeministri Zaev theksoi se anëtarësimi në NATO dhe në Bashkimin Evropian (BE) nuk është qëllimi i fundit i Maqedonisë, por qëllimi i Maqedonisë nuk ka fund, sepse sipas tij, fitorja e lirisë dhe ruajtja e paqes asnjëherë nuk kanë fund.
Me rastin e 11 Tetorit - Ditës së kryengritjes popullore, delegacione të Qeverisë së Maqedonisë të udhëhequra nga kryeministri Zoran Zaev, delegacione nga Kuvendi, Armata e Republikës së Maqedonisë (ARM), si dhe delegacione të tjera të institucioneve shtetërore dhe korit diplomatik vendosën kurorë lulesh në monumentin e dëshmorëve të Qytetit të Shkupit, në oborrin e ndërtesës së Qeverisë së Maqedonisë.
Ndryshe, 76-vjetori i fillimit të kryengritjes antifashiste dhe Luftës nacional-çlirimtare sot në Maqedoni shënohet me disa manifestime të organizuara nga Qeveria, Kuvendi, Lidhja e luftëtarëve dhe komunat Prilep dhe Kumanovë.
Besohet se më 11 tetor të vitit 1941 luftëtarët nga Aradhat e para partizane të Prilepit e sulmuan patrullën policore bullgare dhe rrjetin telefoniko-telegrafik në Prilep, gjë që e shënoi fillimin e kryengritjes së organizuar të popullit të Maqedonisë kundër okupatorit bullgar, italian dhe gjerman për çlirimin përfundimtar të vendit. Ditën tjetër, më 12 tetor, doli edhe Aradha partizane e Kumanovës.