Besar Ademi
21 Shtator 2015•Përditësim: 21 Shtator 2015
SHKUP (AA) – Me rastin e festivalit tradicional “Tingujt e Çarshisë”, Çarshia e Vjetër e Shkupit më 22 dhe 23 shtator do të jetë mikpritëse e shumë artistëve nga vendi dhe jashtë tij, të cilët nëpërmjet koncerteve të të gjitha zhanreve do t’i argëtojnë shkupjanët, raporton Anadolo Agency (AA).
Ky eveniment kulturor që mbahet për herë të nëntë është hapi i parë që qyteti i Shkupit e ka filluar në vitin 2006 si një iniciativë për të ringjallur Çarshinë. Organizatorët e festivalit janë Qyteti i Shkupit, Qendra Informative Kulturore – Shkup dhe Komuna e Çairit, ndërsa në realizimin e manifestimit merr pjesë Telekomi i Maqedonisë.
Drejtoreshë e Qendrës Kulturore Informative – Shkup, Sermine Purini, informoi se programi i ditës së parë do të mbahet në Sheshin “Filipi II” me fillim në orën e 21:00, ku do të performojnë Shpend Latifi dhe bendi “Sllatkaristika”, ndërsa programi i ditës së dyte do të jetë më i pasur, duke filluar me aktivitete nga mesdita deri në mesnatë, me shfaqje folklorike, poezi, koloni të artit, prezantimin e artizanateve etj.
Sipas kryetarit të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, organizime të aktiviteteve të këtilla janë ndër faktorët kryesor që sot Çarshinë e Vjetër e bëjnë vend më të frekuentuar në qytetin e Shkupit. Ai shtoi se Çarshia frekuentohet bashkërisht nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Maqedoni.
“Aktivitete si ‘Tingujt e Çarshisë’ me një larmi aktivitetesh brenda saj kontribuon mjaftë që në faqet e gazetave apo në lajmet e mediumeve çarshia të përmendet nëpërmjet aktiviteteve kulturore dhe jo aktiviteteve tjera. Kjo drejtpërdrejt kontribuon për këtë fotografi që ka çarshia sot”, deklaroi Mexhiti.
Nga ana tjetër, Kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanvski, tha se realizimi i këtij festivali është një kënaqësi e madhe, sepse viteve të kaluar ky festival ka kontribuar në ringjalljen e aspektit kulturor dhe njerëzit që jetojnë në Çarshi.
“Së bashku me Komunën e Çairit me qëllim të përmirësimit të kushteve për mbajtjen e ngjarjeve të këtilla, para disa viteve realizuam një projekt për ndriçimin e plotë të Çarshisë së Vjetër”, theksoi Trajanovski.