Sibel Vezaj
14 Qershor 2016•Përditësim: 15 Qershor 2016
PRISHTINË (AA) - Në Pejë, qyteti i cili shtrihet në perëndim të Kosovës, po mbahet Panairi i tretë i Librit, organizuar nga Drejtoria për Kulturë Rini dhe Sport në Pejë dhe Qendra Kulturore Turke në Pejë “Instituti Yunus Emre” në datat 13-16 qershor, në qendër të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).
Në panair marrin pjesë mbi 20 botues i cili vizitohet nga studentë, qytetarë dhe personalitete të shquara nga jeta akademike, letrare e politike të Kosovës.
Instituti Yunus Emre ka mundësuar sjelljen e botuesve nga Turqia, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, ku vizitorët mund të gjejnë libra edhe në gjuhën turke, por edhe ato të autorëve turq të botuara në gjuhën shqipe. Nga Turqia marrin pjesë Shtëpitë Botuese si Nobel Yayincilik, Ebabil Yayinlari, Matbu Kitap dhe Orhun Yayinlari.
Përgjegjësi administrativ i “Institutit Yunus Emre” në Pejë, Erdem Hamaratli u shpreh se ky është viti i dytë që bashkëpunojnë me Komunën e Pejës për Panairin e Librit dhe që synojnë që ky aktivitet të shndërrohet në ngjarje tradicionale.
“Është një eveniment shumë i rëndësishëm për Pejën sepse Kosova është një shtet që është duke u zhvilluar dhe mund të themi se evenimentet e tilla mundësojnë që Kosova të zhvillohet dhe të forcohet edhe më shumë. Kjo është arsyeja pse ne i japim rëndësi pjesëmarrjeve të tilla”, u shpreh përgjegjësi administrativ i Institutit Yunus Emre në Pejë, Erdem Hamaratli.
Hamaratli duke dhënë informacione rreth punës që bëjnë si institut tha se qëllimi kryesor i tyre është mësimi i gjuhës turke si një gjuhë e huaj dhe njoftimi i popullit të Kosovës me kulturën, artin dhe letërsinë turke.
Aver Husaj, Shef i Kulturës në Drejtorinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Pejë theksoi se kjo është hera e tretë e organizimit të Panairit të Librit në komunën e Pejës, i cili organizohet për nder të 12 qershorit, Ditës së Paqes dhe Ditës së Çlirimit të Kosovës si dhe 16 qershorit Ditës së Çlirimit të Pejës.
“Duhet të falënderoj të gjithë bashkëpunëtorët të cilët bashkëpunojnë për organizimin e këtij panairi, sidomos qendrën kulturore turke 'Yunus Emre' dhe Shoqatën e Botuesve të Kosovës me të cilët jemi bashkëorganizatorë, bashkëpartnerë për organizimin dhe për ofrimin e vlerave të letrave të shkruara jo vetëm në gjuhën shqipe por edhe në gjuhën turke dhe në gjuhët tjera të cilat i prezentojnë shtëpitë botuese”, u shpreh Husaj.
Ndërkohë Rajmonda Hida, përfaqësuese e Shtëpisë Botuese “Fan Noli” nga Tirana tha se ky është viti i dytë që marrin pjesë në këtë panair si të ftuar nga Instituti Yunus Emre dhe theksoi se lexuesit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë shfaqin interes për botimet e përkthyera nga autorët turq.
“Ne përveç letërsisë shqipe kemi botime edhe të letërsinë turke, ku më herët ka pasur pak botime por këto 8 vite janë përkthyer rreth 90 tituj të autorëve turq dhe kemi edhe disa në proces që do t’i kemi në vazhdimësi”, u shpreh Hida.