Senada İbraimova
31 Mars 2017•Përditësim: 01 Prill 2017
SHKUP (АА) – Në Panairin e Shkupit nga data 4 deri më 10 prill do të mbahet Panairi i 29-të i Librit, Panairi i 20-të ndërkombëtar i arsimit dhe karrierës dhe Panairi i 17-të ndërkombëtar i turizmit - Shkup travel market 2017. Ky event është në organizim të Panairit të Shkupit në bashkëpunim me Shoqatën e Botuesve të Maqedonisë, Shoqatën e Botuesve dhe Librarive të Maqedonisë (SHBLM) dhe Shoqatën e Botuesve Shqiptarë në Maqedoni (SHBSHM), raporton Anadolu Agency (AA).
Në Panairin e 29-të ndërkombëtar të librit, për adhuruesit e fjalës së shkruar, do të jenë në disponim më shumë se 80 shtëpi botuese me mbi 80 mijë libra nga autorë vendas dhe të huaj, me vepra bashkëkohore klasike dhe literaturë profesionale, shkencore dhe beletristikë, libra, enciklopedi, si dhe vepra nga fusha e kulturës dhe artit.
Në takimin e sotëm me gazetarët, organizatorët e këtij panairi informuan se Panairi i Librit do të mbahet në Metropolis Arena Salla 1 dhe Salla 2 ndërsa në sallën e dytë janë organizuar Ditët e 20-ta me radhë të arsimit dhe karrierës, ku të rinjve dhe të interesuarve tjerë do t'u mundësohet të marrin informacione të sakta dhe të shpejta për interesat që i kanë nga programet studimore të institucioneve të larta arsimore në vend dhe jasht, si dhe informacione për punësime dhe zhvillim në karrierë.
Panairi i 17-të ndërkombëtar i turizmit - Shkup travel market 2017, do të mund të vizitohet në sallën e tretë në Panairin e Shkupit. Në këtë panair do të prezantohen agjencitë turistike, hotelet dhe turoperatorët nga Maqedonia dhe rajoni.
Edhe këtë vit, në këtë panair, tashmë për të shtatën herë me radhë Republika e Turqisë do të prezantohet përmes Zyrës së turizmit dhe kulturës të Turqisë në Republikën e Maqedonisë, ku në standin e saj, do ta prezantojnë ofertën e tyre si destinacion kulturor dhe turistik.
Këtë vit për herë të parë në Panairin e Librit në Sallën 2 do të prezantohet literatura për fëmijë dhe të rinj ndërsa një pjesë të posaçme të sallës do të përshtatet Këndi për fëmijë i lojërave ku më të rinjtë do të mund të edukohen dhe argëtohen me programën e promovimeve të botimeve për fëmijë, seminare dhe veprimtari të tjera krijuese, thonë organizatorët.
Hapja solemne e Panairit të Librit do të bëhet të hënën (3 prill) në ora 19 ndërsa për vizitorët panairi do të jetë i hapur nga 4 deri më 10 prill duke filluar nga ora 10 deri në ora 20.
Panairi i turizmit - Shkup travel market dhe Ditët e arsimit dhe karrierës, do të mbahen në periudhën prej 6 deri më 8 prill nga ora 10 deri në ora 20.
Për të gjitha panairet çmimi i biletës për vizitorët është 30 denarë ndërsa për vizitat e organizuara në grupe çmimi i biletës është 20 denarë për vizitor.